Ismet Lecaj

Ismet Lecaj lindi më 26.3.1953, në Brezne të komunës së Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen dhe të lartën në Prizren, kurse fakultetin e filologjisë, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Më shumë se dy dekada punoi arsimtar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në shkollën fillore “Shaban Shabani” të Llopushnikut, kurse nga viti 1997 punon si profesor në gjimnazin “Ruzhdi Berisha” të Sharrit. Është angazhuar  veçan edhe në veprimtari të ndryshme kulturore e letrare, me grupin e recituesve, të letrarëve, të dramës, të folklorit etj.

Një kohë qe redaktor e lektor i revistës “Sharri”, pastaj kryeredaktor i revistës për fëmijë “Shkolla”.

Shkruan poezi, prozë, pjesë teatrore etj. Ka disa dorëshkrime të gatshme për botim, kurse në vitin 1994 ka botuar vëllimin poetik “Verdhomë bote”, ndërsa në vitin 2002 përmbledhjen poetike për fëmijë “Gojë më gojë, përralla në Opojë”.