ISAMIL SIMNICA

Lindi më 18.02.1953, në katundin Lajthishtë të komunës së Kastriotit. Rrjedh nga një familje bujare dhe me tradita kombëtare. Shkollën fillore e kreu në katundin Lajthishtë dhe në Hade, shkollën e mesme teknike – seksioni i makinerisë në Prishtinë, ndërsa fakultetin teknik, degën e inxhinierisë mekanike në Universitetin e Prishtinës. Qysh si nxënës zgjoi interesim të madh ndaj leximit dhe fitimit të njohurive të reja. Mirëpo, tërë potencialin e tij ia kushtoi teknikës, që aq shumë e deshi. Kjo ndodhi edhe nga frymëzimi i tij për përmirësimin e kushteve të rënda të punës, që i kishte parë në minierën e linjitit të Kosovës, ku punonte i ati i tij minator dhe sulmues i shumëfishtë. Megjithëkëtë ai herë pas here nuk harroi të thurte vargje të ngrohta për vendlindjen, atdheun, për të atin e tij dhe për dashurinë rinore. Shkroi vargje edhe për figurat më eminente të popullit tonë.
Ka marrë pjesë në demonstratat e studentëve dhe të nxënësve të vitit 1968, më 1981 dhe në tubimet e organizuara kundër pushtuesit serb që nga viti 1989. Me ngulm i ka kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të vitit 1989.
Detyrën që e ushtroi si mësimdhënës në shkollën teknike të Besianës dhe të Kastriotit, atë edhe më shumë e nxiti që të shkruajë në heshtje për atë që e mundonte zemrën e tij, por edhe tërë popullin tonë. Meqë zhvillimit të energjetikës në atë kohë i nevojiteshin kuadro të reja të këtij profili, pas diplomimit në fakultetin e makinerisë kalon në Elektroekonominë e Kosovës, përkatësisht në termoelektrocentralet “Kosova A”, së pari si inxhinier i prodhimit të energjisë elektrike, pastaj si udhëheqës i prodhimit dhe së fundi si ekspert për çështje teknike dhe për përgatitjen e kuadrit profesional për udhëheqjen e termocentraleve. Një kohë ka qenë anëtar i komisionit profesional për provime shtetërore, për manipulues të pajisjeve nën trysni në Kuvendin e Kosovës. Gjatë viteve të nëntëdhjeta, kur pushteti serb suprimoi të gjitha të drejtat e shqiptarëve, u vu në krye të sindikatës së pavarur të punëtorëve të prodhimit në termocentralin “Kosova A” duke kontribuuar në grumbullimin e mjeteve financiare për ndihma punëtorëve të larguar nga puna, për arsim, për minatorët e “Trepçës”, për zhvillimin e kulturës në komunën e Kastriotit, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për shkollën fillore “Ismail Qemali” të Prishtinës. Përveç punës në termocentrale, ai është anëtar i kryesisë dhe sekretar i shoqatës së shkrimtarëve “Fahri Fazliu“ të Kastriotit dhe njëherësh edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ka marrë shpërblime në konkurset letrare në manifestime të ndryshme. Me rastin e festimit të 20-vjetorit të veprimtarisë në shoqatën e shkrimtarëve “Fahri Fazliu” të Kastriotit shpallet poet më i suksesshëm i Shoqatës për vitin 2010.
Jeton në Prishtinë.

 Ka botuar këto vepra:

“Pranvera e Lirisë”, 2003
“Trojet kërkojnë”, 2005
“Merr fluturimin, merr”, 2007
“Të Falemi, o Zot”, 2007
“Pavarësia”, 2010
“Familja ime”, 2015
“Vrragë shkujsh”, 2018
“Toplica”, 2019
“Në dritën e Hënës”, 2021
“Doracak termoenergjetik”, 2006
Pesë “Doracakë udhëzimesh praktike për shfrytëzimin e kapaciteteve termoenergjetike në TC ”Kosova A”, 2006 dhe 2014
“Rrugëtimi ynë”, 2017
“Kolosi i termoenergjetikës kosovare”, 2018
“Të dhënat për pajisjet e termocentralit “Kosova A”, 2019
“Detyra të zgjedhura nga matematika”, 2021     

NDARJE ME DHEMBJE

Lajmin ma kumtuan prindërit
Se do marrim një rrugë mërgimi,
M’u bë zemra copë e grimë
E shkrova një letër me dëshpërimi.

Në bankë e lashë porosinë
Se nuk bindej shpirt im,
Për ta lënë një takim
Për t’i thënë lamtumirë mikut tim.

Ta lë mësimin në gjuhën amnore
Buron nga shpirti kjo gjuhë hyjnore,
Ngrohtësia e arsimtarëve do t’më mungojë
Për çdo gjë ndiej mall që do t’më përvëlojë.

Kam qarë dhe dënesur gjatë
Ndjenjat nuk më linin rehat,
Në atdheun tim dua të jetoj
Rrezet e diellit dua t’i shijoj.

Me dhembje ndahem nga atdheu im
Me mall dhe dashuri për Dardaninë,
Frikësohem se këto ndjenja do t’shterojnë
Ikjet e të rinjve shumë do t’na kushtojnë.

Nga atdheu të mos largohemi dot
Nuk duhet ta lëmë me dhembje e lot,
E vogël paska qenë atdhedashuria
Shumë më tepër meriton Dardania.