Isa Baftiaj

Isa Baftiaj lindi në lagjen “Toskaj” të fshatit Komogllavë të Ferizajt. Mësimet e para i kreu në vendlindje dhe në Ferizaj. Në Ferizaj kreu edhe normalen, ndërsa studimet e larta – gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Universitetin e Shkupit.
Ka punuar mësues i gjuhës shqipe në Muhalan të Suharekës, në shkollën fillore “Vëllazërimi” të Obiliqit, në disa fshatra të Kaçanikut, në shkollën fillore “Emin Duraku” të Kaçanikut dhe në shkollën fillore “Naim Frashëri” të Zaskokut të Ferizajt.
Veprimtaria letrare e Isa Baftiajt nis nga viti 1966, kur në revistën letrare “Jeta e re” botoi poezinë e parë. Prej asaj kohe ka botuar nëpër të gjitha gazetat dhe revistat që janë botuar në Kosovë, por edhe jashtë saj, në trojet shqiptare.
Isa Baftiaj kryesisht shkruan poezi për fëmijë e të rritur e ndonjëherë edhe prozë.  Duhet theksuar se një numër i madh i poezive të tij janë transmetuar edhe përmjet valëve të Radio-Ferizajt, sidomos në emisionet për fëmijë. Disa nga poezitë e tij janë bërë edhe tekste të këngëve për fëmijë, por ka shkruar edhe tekste këngësh për të rritur.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton dhe vepron në rrugën “Agim Prodani” nr. 39, në  Ferizaj.

Deri tash ka botuar veprat:

“Goca e Kaçanikut”, panoramë poetike, bashkautor, Kaçanik, 1980

“Dritaret e diellit”, poezi për fëmijë , SHB “Zef Serembe”, Prishtinë, 2000

“Buzëqeshje”, poezi për fëmijë, “Iliriku”, Prishtinë, 2002

“Brezi i tretë i normales “Zenel Hajdini (1867-1968)”, monografi, Ferizaj, 2007

“Kryefjalë e dritës”, poezi, “Zef Serembe”, Prishtinë, 2008

“Në gjiun e kësaj toke”, “Zef Serembe”, Prishtinë, 2015

“Autorë nga rajoni i Ferizaj (1893-2016)”, leksikon, Ferizaj, 2017