Mr. Ilir Shaqiri

Ilir Shaqiri lindi më 6.12.1960 në Burojë të Drenicës. Shkollën fillore e kreu në Turiqec, atë të mesme në Prizren, kurse studimet e larta të gjuhës dhe të letërsi shqipe në Prizren dhe Prishtinë, ndërsa ka magjistruar në degën e letërsisë me temën “Estetika dhe semiotika”.
Ka krijuar mbi 600 këngë në muzikën tonë të lehtë, popullore dhe për fëmijë. Është krijues i muzikës në 17 filma dokumentarë, krijues i muzikës për shfaqjet “Zeka i Zi” dhe “Fizikanët” në Teatrin Kombëtar. Ka botuar 34 albume muzikore dhe katër videoalbume me këngë. Në vitin 2012, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë botoi albumin muzikor me 100 këngë të përzgjedhura.

Deri tash ka botuar:

Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të nënës”, studim, 2014
Tan Temali, roman, “Toena”, Tiranë, 2014
Lemza e dheut”, roman, LSHK, Prishtinë, 2016
Adem Jashari”, poemë, LSHK, 2018.

Është autor i filmave dokumentarë “Hapi i çeliktë” (2014) dhe “Zëri i këngëve lapidare” (2017). Ka bërë skenarin e filmit të gjatë artistik “Kangjelet” (2016-2017).
Ka luajtur në filmin artistik “Vite të rëndësishme” më 1997.
Ka interpretuar shumë këngë shqipe nëpër qindra-mijëra koncerte (shumica prej tyre humanitare), nëpër shumë vende të botës ku jetojnë shqiptarët: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi, Turqi,  Bosnjë, Kroaci, Slloveni, Itali, Austri, Zvicër, Gjermani, Çekosllovaki, Belgjikë, Luksemburg, Francë, Holandë, Danimarkë, Angli, Suedi, Norvegji, Finlandë, SHBA, Kanada dhe Australi.
Në vitin 1998, ka mbajtur 109 koncerte nëpër Evropë në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse në vitin 1999, gjatë luftës çlirimtare ishte anëtar i Trupës Ushtarake Artistike, themeluar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
Është vlerësuar brenda dhe jashtë vendit me çmimet e jurisë dhe të publikut: “Fest-Arb” në Shkup, 1992, “Kënga Shqiptare” në Prishtinë, 1995, festivali ndërkombëtar “Special avard folkmoot USA” në Karolinën e Veriut, 1994, “Këngëtari emblamatik i Ballkanit” në Bruksel, 2000.
Është nderuar me “Mirënjohje” nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 1999, nga Shoqatat e dala nga Lufta e Kosovës, 2000; me “Nderin e Odës Dibrane”, Peshkopi, 2004, me atë“Naim Frashëri i Artë” nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, 2011. Gjithashtu ka marrë “Mirënjohje” nga Batalioni i Forcave Speciale të Shqipërisë më 2014, me “Medalje” nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë më 2014, me “Mirënjohje” nga Kryepeshkopi kontinental i arbëreshëve më 2017 dhe “Kalorësi i Skënderbeut” nga arbëreshët në Kalabri në vitin 2017.
Veprimtaria e tij kreative është përmbledhur në monografinë e Prof. dr. Kudusi Lama, “Heroizëm dhe dashuri” , LSHK, 2012.
Vokacioni i tij është muzika, proza dhe poezia moderne.
Aktualisht është mbikëqyrës artistik i programeve të veçanta të Radiotelevizionit të Kosovës.