Ilir Hajdari lindi në fshatin Bec të Gjakovës, në vitin 1977. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë, ndërsa studimet e letërsisë i ka nisur në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, të cilat për shkak të luftës u detyrua t’i ndërpresë, për t’i kryer pas lufte në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë.
Qysh në rininë e hershme është marrë me poezi, ku edhe është shpërblyer në garat komunale me vendin e parë nga juria profesionale. Në vitin 1997 është zgjedhur kryeredaktor i revistës së rinisë shkollore të Gjakovës, “Bota jonë”, në krye të së cilës qëndroi deri në vitin 1998. Gjatë luftës ka qëndruar në Tiranë, ku ka bashkëpunuar me gazetën “Zëri i Kosovës”. Pas luftës, në teatrin amator “Emin Duraku” të Gjakovës ka bërë disa regji, ndërsa në Teatrin Profesionist ka interpretuar herë pas here disa role. Ka bashkëpunuar me Agjencinë e Lajmeve “Kosovapress”, me të përditshmen “Epoka e re”, “Gazeta e re”, “Nacional”, “Fokusi” dhe “Infopress”. Për një kohë ishte kryeredaktor i revistës për të rinj “Ideja”.
Në vitin 2008 ka botuar përmbledhjen me poezi “Elegji për lotin”.
Jeton dhe vepron në Gjakovë.