IBUSH REÇICA

Lindi  më 10. 01. 1953 në Llugaxhi të Lipjanit. Shkollën fillore e nisi në vendlindje, e vazhdoi në Banullë dhe e mbaroi në Kastriot. Ndërsa SHMT – dega e elektroteknikës, si dhe fakultetin teknik – dega e elektroteknikës-energjitikës në Universitetin e Prishtinës, më 1977. Si student i dalluar merr bursën e universitetit. Studimet pasuniversitare i kreu më 1982, në Zagreb.
Fillimisht punoi në SHT në Kastriot, ku dha lëndën mjetet elektrike në vitin shkollor 1975-1975-1976. Gjatë viteve 1976-1978 punoi në SHMT “28 Nëntori” të Prishtinës, ku mbajti lëndët: teknologji e materialeve elektrike, ndriçime elektrike, pajisje elektrike të automjeteve, instalimet elektrike, rrjetat elektrike, largpërçuesit elektrikë, mirëmbajtje e instalimeve.
Ka qenë i angazhuar në grupin e ekspertëve për hartimin e planeve dhe programeve mësimore për shkollat e mesme profesionale. Pastaj ka punuar  në KEK, “Ferronikël”, si organ mbikëqyrës i Sektorit për vlerësimin e dëmeve në ekonomi. Nga viti 1981 gjer më 1989, punoi  drejtor teknik në IMN “Kosova” në Prishtinë. Nga viti 1989 e deri në largimin e punëtorëve nga regjimi serb, punoi si projektues  dhe organ mbikëqyrës në NSH “Konsulting”.
Në vitin 1991 themelon ndërmarrjen private NSHP “Eltrisi” në Prishtinë.
U mor me projekte, ku i punoi 300 sish në fushën e instalimeve e ndriçimeve elektrike, elektroenergjitikës dhe të automatikës për objekte të ndryshme. Ka realizuar dhe ka udhëhequr mbi 80 objekte të ndryshme.
Librin e parë e botoi në vitin 2008 me titull: “1012 fjalë të urta të përzgjedhura” dhe e ka ribotuar në 2015. Ndërsa  libri “Personaliteti ynë” (2015) është vepra e dytë. KA botuar dhe veprën “Mendime mbi veçoritë dhe botën njerëzore“ (2018), kurse  në vitin 2020 ka botuar veprat “Mëshira I”  dhe “Mëshira II”, vepra publicistiko-eseistike
Jeton dhe vepron në Prishtinë.

DASHURIA

(Ese)

Dashuria është njëra prej ndjenjave më të rëndësishme që na ushqen për t’u ndier i lumtur, i nderuar, i respektuar, i çmuar në rrethin tonë ku jetojmë, por dhe më gjerë (nëse dimë të duam, në mënyrë që të na kthehet me dashuri ndaj nesh).
Kjo është një ndjenjë për të dashur qenie njerëzore, gjallesa dhe bukuritë e tjera në jetë. Është një ndjenjë e fuqishme dhe e thellë që lind në zemrat tona për të krijuar lidhje të forta me dikë apo diçka, sepse i duam me gjithë zemër. Ajo krijon miqësi të thella dhe të çiltra. Ajo sjell pëlqim e paqe mes teje e diçkaje apo dikujt.
Dashuria nuk është vetëm ndjenjë e flaktë dhe e pastër, që lind në mes njerëzve të sekseve të kundërta që me gjithë shpirt e dashurojnë njëri-tjetrin, por, p. sh., paraqet një dashuri ndaj nënës, babait, fëmijës, vëllezërve, motrave, farefisit, artit, punës, popullit, sportit dhe çdo gjëje tjetër që është për t’u dashur. Ky brez sa më i gjerë që të jetë, do të jemi më të çmuar, më të dashur dhe na siguron më tepër mundësi që të ndihemi mirë.
Njeriu që krijon parakushte për të qenë i dashur, siguron lumturi, të ndihemi të kënaqur, na bën t’i harrojmë brengat, mërzitë, nuk kemi jetë monoton dhe në ne zotëron hare e gëzim.
Dashuria nuk duhet të mbahet e fshehur dhe e heshtur, ajo duhet të shpallet publikisht.
Dashuria është e vetmja dhunti nga e cila lind martesa – bashkimi i përjetshëm në mes të dy njerëzve dhe që sjell gëzimet në shpirtrat tanë, na sjell fëmijët tanë, përkatësisht krijimin e familjes si njësi bazë e shoqërisë.
Çka duhet të bëjmë ne me pjesën e vetëdijes sonë, që edhe nga pjesa e vetëdijes, jo vetëm nga zemra (e cila është e palodhshme dhe çdoherë më e qetë) nëse i krijojmë kushte për të dashur, duke u munduar të zgjerojmë brezin e gjërave që duhet dashur.
Për të zgjeruar këtë brez, është shumë me rëndësi që fëmijët të mos i kufizojmë në dashuritë që ata shfaqin ndaj njerëzve dhe gjërave e fenomeneve që janë të padëmshme për ta. Për gjërat që ata shfaqin urrejtje apo nuk dinë se duhet t’i duan – t’u zgjojmë kureshtjen që t’i duan, ndërsa për ato që kanë urrejtje, a janë për t’u dashur, t’u shpjegojmë dhe t’i udhëzojmë për t’i dashur.
Të gjitha ato gjëra, që ne nuk i duam, si pasojë e mosedukimit, gjenetikës sonë apo për arsye të tjera emocionale mund të na shkaktojnë stres, pakënaqësi, që në një masë na e prishin qetësinë shpirtërorë e mendore apo na ngjallin urrejtje të thella, që mund të na shpien gjer te konfliktet me pasoja të rënda apo stresi. Pra, ne nëse e ushqejmë vetëdijen tonë, duke kuptuar se dashuritë mund të na sjellin vetëm dobi, atëherë zgjerojmë brezin e dashurive, por edhe shërojmë zemrën tonë (këtë ndjenjë) nga deformimet eventuale gjenetike apo edukimi i gabuar në sferën e dashurisë.
Dashuria është një prej dhuntive mjaft e përpunuar, e folur, e shkruar dhe e kënduar. Andaj duke analizuar të folurit, të shkruarit dhe të kënduarit për të, përmes vëzhgimit, dëgjimit dhe leximit, duhet të nxjerrim mësime dhe t’i përvetësojmë mënyrat e përftimit të saj.
Në një fjalë të urtë të Oskar Vajldit thuhet: “Nëse e duam vetveten, do të kemi dashuri të përjetshme.” Dashuria ndaj vetvetes është e qëndrueshme vetëm nëse nuk kalon në egoizëm apo të shndërrohemi në narcisoidë fanatikë, sepse nga ky çast nuk do të na dojë askush.
Të mbyllur vetëm në veten tonë në kohë e kushte të caktuara, mund të shkaktojmë thyerje fatale në shpirtrat tanë, “të ikë” nga ne dashuria. Ajo fitohet duke lëvizur, duke gjallëruar, duke kontaktuar me njerëz e gjëra të tjera të natyrshme.
Xhelozia mund të dëmtojë dashurinë. Nëse ne xhelozojmë duke dyshuar se partneri ynë po e humb dashurinë ndaj nesh apo nuk është besnik, kjo xhelozi e shkatërron njeriun; kjo xhelozi shkaktohet nga njerëzit që frikësohen se do të humbin dashurinë që e ka ushqyer ose që e ushqen partneri i tij apo i saj, gjë që nuk është e dobishme sidomos nëse nuk gjejmë fakte reale. Ajo nga dhimbjet e padurueshme shpirtërore shkakton konflikte gjer në ndarje. Si mbrojtje nga ky fenomen është transparenca në mes partnerëve, por dhe më gjerë (miqve, të afërmve etj.). Kjo është një këmbëngulësi aq e lartë për të ruajtur e për të mbrojtur në këtë rast dashurinë, që nuk ka kuptim. Nuk mund të ruajmë dashurinë nëse pala tjetër ka zbehur dashurinë ndaj nesh ose e ka humbur, kjo nuk ndodh rastësisht. Dashuria nuk mbahet se ne duam, por nëse të dy palët duan. Një dozë optimale e dëshirës për të ruajtur atë që posedojmë nuk është e dëmshme për t’u dashur dy vetë gjatë, por nëse kalon në xhelozi të sëmurë, si u cek dhe më sipër, është e dëmshme dhe shpesh e kobshme.
Një reagim tjetër i njerëzve që lë përshtypjen e xhelozisë, shfaqet te njerëzit që nuk i tolerojnë bishtnimet. Këta janë të gatshëm të pranojnë humbjen e asaj që duan, por nuk pranojnë që çdokush që shtiret se është pjesë e tij dhe dëshiron t’i takojë në të njëjtën kohë edhe tjetërkujt (shpirtërisht apo fizikisht). Pranon me të drejtë humbjen sepse nuk do që të preket nderi dhe dinjiteti i tij. Njerëzit e dinjitetshëm nuk tentojnë të mbajnë për vete atë që nuk e duan.