Ibrahim Gashi

Ibrahim Gashi lindi më 28.05.1965, në fshatin Mramor të Prishtinës. Shkollën fillore, të mesmen dhe të lartën i kreu në Prishtinë.
Nga viti 1986 punoi në ndërmarrjen gazetare botuese “Rilindja” të Prishtinës. Shkruan kryesisht poezi, disa nga të cilat i ka botuar në gazetat dhe revistat “Intervista”, “Nacional Albania” në Tiranë, “Bota sot” e “Kosova sot” në Prishtinë; në portalin “Fjala e lirë” të Shkodrës, “Sa-cra-sh” Angli, “Gazeta e Alpeve” – Tiranë etj.
Më 2017, në shtëpinë botuese “Lena” të Prishtinës, ka botuar vëllimin me poezi “Kur hesht nata”, kurse më 2018, po nga shtëpia botuese “Lena” të Prishtinës ka botuar vëllimin  poetik “Rreze jete“, ndërsa vëllimin e tretë poetik “Përjetësime“ ia ka botuar SHB “Lena”, më 2019.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.

S’DI  TË  PËRGJIGJEM

S’di të përgjigjem, kur jam
I shtrirë mbi çarçafin e dashurisë,
Kokën mbi flokët e argjendta.
S’di të përgjigjem
Kur gjendem pranë
Gjoksit tënd
E i tëri digjem!
Kërkoj detin
Ta kem në gotë,
Si ombrellë
Ta mbyll qiellin,
Të gjithë yjtë
Të buzëqeshin
Në dritare.
S’di të përgjigjem,
As atëherë
Kur në trupin tënd
Latohem i tëri.