Ibish Neziri (1957), veprimtar i çështjes kombëtare, i burgosur politik, gazetar, poet dhe publicist, lindi në Bardhaniq të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Pejë. Në vitin 1979 ka mbaruar shkollën e lartë pedagogjike në Gjakovë, drejtimi gjuhë dhe letërsi shqipe.
Nga viti 1976 ka qenë pjesëtar i grupeve dhe i organizatave ilegale. Fillimisht ka qenë pjesëtar i organizatës Fronti i Kuq Popullor.
Më 19 nëntor 1980 është burgosur dhe në mars të vitit 1981 është gjykuar e dënuar me 2 vjet burgim për delikt verbal. Ndërkohë, pas arrestimeve që ishin bërë gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, meqë në proceset e ndryshme hetuese lakohet dhe emri i tij, i bëjnë një rihetim dhe, në shkurt të vitit 1982, një gjykim të dytë, për veprën penale, sipas nenit 136 të kodit penal të Jugosllavisë për “bashkim për veprimtari armiqësore lidhur me nenin 116 për veprën cenim i integritetit territorial të RSFJ-së.” Këtë herë dënohet me 6 vjet burg, dënim të cilin e vuan në burgjet e ndryshme të Jugosllavisë, por pjesën më të madhe në Pejë, në Gospiq dhe në Stara-Gradishkë të Kroacisë deri sa e përfundon dënimin, më 19 nëntor 1986.
Pas daljes nga burgu, vazhdon veprimtarinë atdhetare ilegalisht në kuadër të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). Ka qenë kryetar i këshillit të  LPK-së për Rrethin e Pejës deri në vitin 1993, kur, për shkak të ndjekjeve dhe përpjekjes që sërish të arrestohet, detyrohet të mërgojë në Zvicër.
Një kohë, derisa ishte në Kosovës, ka qenë i shtrënguar të bënte punë të ndryshme fizike, më vonë fillon të bëjë punën e gazetarit për disa media. Ka qenë gazetar i revistës “Zëri i Kosovës”, organ i LPK-së që dilte në Zvicër, i gazetave kroate “Hrvatska danas” dhe “Hrvatska domovina“, ku ka botuar me pseudonime. Ka bashkëpunuar me Radiotelevizionin australian ABC, me radion „Zëri i Kosovës“ në Kopenhagë dhe me gazeta e revista të tjera që dilnin në Kosovë dhe jashtë saj.
Pas emigrimit në Zvicër, fillimisht ka mbaruar specializimin për përkthim dhe ndërmjetësim ndërkulturor. Pastaj ka punuar në Organizatën e Azilit (Asyl Organisation) dhe në gazetën e përmuajshme zvicerane “Arbeitsmarkt Agenda“ të Cyrihut. Në shkollën shqipe të mësimit plotësues ka punuar 14 vjet rresht. Ka qenë redaktor i programit në gjuhën shqipe në Radiokanalin K në Arau dhe në Radio-Lora të Cyrihut. Ka qenë edhe kryeredaktor i gazetës së klubeve dhe bashkësive shqiptare në Zvicër, “Bashkimi”.
Aktualisht punon përkthyes profesionist dhe ndërmjetësues ndërkulturor në Zvicër.

Deri tani ka botuar:

Spektër shqiptar”, intervista (bashkautor), Biel, Zvicër, 1994
Fytyra e dhunës mbi Universitetin e Tetovës (bashkautor), 1995
Ahmet Haxhiu – një jetë të tërë në lëvizjen ilegale, monografi, Prishtinë, 2001
Shoqata Kulturore Shqiptare Mëmëdheu e St. Galenit, St. Galen, 2002
Vallet në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar, botim në gjuhën shqipe, gjermane dhe angleze (Shkolla Shqiptare e Vallëzimit „Shota” në Zvicër“, Arau, 2008
Këtu jam për t’i luftuar armiqtë, monografi për dëshmorin Xhemajl Fetahaj, Prishtinë, 2013

Ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj, në të cilat është paraqitur me kumtesa për aspektet e organizimit dhe të veprimtarisë ilegale të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

ATË DITË BINTE SHI

Atë ditë binte shi,
Shi i imët
Nga qielli sterrë,
Nga qielli i zi,
Shi i ftohtë nëntori,
Shi që thirrte stuhi!

Atë ditë binte shi,
shi kokërrimë
Nga qielli sterrë i zi
Që çdo gjë lagu
Pos vargut tim.

E vargut të vargonjve
Po iu shtua edhe vargu im,
Vargu im i ri
Atë ditë me shi,
parastuhi.

Atë ditë nëntori të kuq,
Atë ditë nëntori të zi
Si në të gjithë nëntorët,
nëntorët kuq e zi.