Hysen Berisha

Hysen Berisha lindi më 1956, në Kramovik (KK Rahovec). Shkollën fillore e mbaroi në Çifllak, shkollimin e mesëm e bëri në Rahovec, ndërsa studimet gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universiteti të Prishtinës.
Prej vitit 1990, për shkak të papërshtatshmërisë politike, u detyrua të mërgojë në Norvegji. Prej vitit 1993 ka punuar në shumë sholla si mësues i gjuhës amtare. Prej vitit 2005 punoi në cilësinë e mësuesit të dygjuhësisë në shkollat e rregullta të vendit ku jeton.
Prej vitit 2015 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Norvegjisë.
Me poezi disa herë në manifestime kombëtare ka zënë vendin e dytë, ndërsa në vjeshtën e vitit 2017, në Festivalin e poezisë dhe të krijimeve artistike, në Malme të Suedisë, poezia e tij u shpërblye me vendin e parë.
Jeton në Norvegji.

Deri tani ka botuar:

«Plagë që nuk duken», roman, «Fokus» , Prishtinë, 2008.
«Ajri me zogj të plagosur», tregime, «Focus», Prishtinë, 2008.
«Lufta s’ka mbaruar», dy drama, «Focus», Prishtinë, 2008.
«Kuvendi i kafshëve», dramë, tregime dhe poezi për fëmijë, «SAS», Prishtinë, 2008.
«Familja Teraba», dramë, KL «Arif Shala», Prishtinë, 2014.
«Aty ku fjala peshon», poezi, «Rozafa», Prishtinë, 2018.
«Gurana», roman, «Lena», Prishtinë, 2018.

SHTEGTARË UNË DHE DALLËNDYSHJA

Dielli tregonte ashpërsinë e tij verore
Unë me urtësinë time ndiqja një flutur
Lojës sonë dallëndyshja i vishet prore
E nën dardhë, gjyshja sodiste e lumtur.

Nëna nuk kishte kohë të merrej 
As me fluturën, as me dallëndyshen, 
As me mua, e, bile as me gjyshen.
Ajo ngutej ta mblidhte barin e tharë 
Kositur nga im atë dy ditë më parë.

– Thashë: – Nga erdhi dallëndyshja?
Di kush të thotë, ku ishte më parë?

– Larg, larg nga këtej, – tha gjyshja,
Dallëndyshet janë zogj shtegtarë.

– Në folenë e tyre vjet
U çelën sa zogj të rinj.
Sqephapurit, të gjorët,
Lakuriq si të ishin minj.

– Edhe gjatë kësaj vere
Ata, kudo që do të jenë,
Do të vijnë si asaj here
Se nuk e harrojnë folenë.

– Eh! E pakapshme kjo dëshirë
thashë,  edhe unë të isha i tillë.
– Rrudh pak atë gjuhë, bre bir!
Vallë, sikur ke nevojë për këshillë?

Shpejt pasuan ngjarje që nuk do t’i harroj kurrë.
Gjyshja, thonë se iku me gjithë ato dallëndyshe.
Kujtim prej saj mbeti një bukë e gatuar n`furrë.
Dhe nëna, tashti, për jetë a vdekje, në mëdyshje.
Ndërsa unë, thinjosh, më shumë fëmijë se burrë
Vuaj nga mërgimi – plagë e vjetër e popullit tim
Kurrë i kënaqur, buzët n`vaj, e vetë n`shtegtim.

                                                 Bergen, Norvegji, 1995