Hysen Këqiku

HYSEN KËQIKU

Lindi më  7.07.1944, në Velegllavë, të Dardanës (ish-Kamenicë). Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e vazhdoi në Vaksincë e në Llojan të Kumanovës, ngase më 1956, pikërisht më 28  nëntor, familja e tij shpërngulet prej Velegllave dhe vendoset në Vaksincë, ku jetoi deri më 1973. Gjimnazin e kreu në Preshevë, kurse studimet gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup dhe në Prishtinë.
Me shkrime ka filluar të merret si nxënës i shkollës fillore, në Velegllavë, Vaksincë dhe Llojan, ndërsa si gjimnazist, në vitin 1965, e botoi vjershën e parë në revistën “Zani i rinisë”, me titull “Vendlindjes”. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat dhe gazetat, që dilnin atëherë në gjuhën shqipe  në Kosovë, Maqedoni, në Luginën e Preshevës, më vonë dhe në Shqipëri.
Dyzet e tre vjet ka punuar mësimdhënës i gjuhës shqipe. Ka bashkëpunuar me teatrin e Preshevës dhe të Gjilanit. Për dhjetëra vjet ka luajtur një mori rolesh në dramë e komedi. Ka dramatizuar romanin “Motra kërkon vëllezërit” të Anton N. Berishës dhe veprën „Ylberja” të Riza Greiçevcit, të cilat i ka shfaqur  me sukses para spektatorëve në Gjilan e në Zhegër të Gjilanit. Në këtë mënyrë ka treguar edhe prirjen si regjisor.
Ka shkruar vepra për fëmijë e të rritur: poezi për fëmijë dhe të rritur, drama, panorama letrare, monografi etj.
Është marrë me veprimtari të ndryshme: arsimore, edukative, kulturore, humanitare, shoqërore,  sindikale, në pajtime gjaqesh e të tjera.
Jeton dhe vepron në Gjilan.

Ka botuar këto vepra :

“Nëpërkëmbësi”, poezi pët të rritur, „Shkëndija”, Prishtinë, 1994

“Ti dil nga loja”, poezi për fëmijë, „Pionieri”, Prishtinë, 1995

„Kufij që preken”, dramë për të rritur, „Rilindja”, Prishtinë, 1997

„Dritë mbi Lotinë”, poezi për të rritur, „Vatra”, Prishtinë, 1999

„Ujëvarë e patharë”, poemë për fëmijë, „Rilindja”, Prishtinë, 2000

„Qëndresë me Besa–besë”, poemë për fëmijë, „Ura”, Gjilan, 2000

“Velia Glaua, ëndërr e ripërtërirë”, monografi, „Ura”, Gjilan, 2001

„Velia Glaua, ëndërr e ripërtërirë”, Gjenealogjia, „Ura”, Gjilan, 2001

„Melodi e pritjes”, poezi për të rritur, „Kurora”, Gjilan, 2004

„Kujtim malli për shkollën time I”, krijime të nxënësve, „Kurora”, Gjilan, 2004

“Psherëtimë për tokën I”, „Kurora”, Gjilan, 2004

„Kujtim malli për shkollën time II”, krijime të nxënësve, „Kurora”, Gjilan, 2007

„Një atdhe me dashuri”, poezi për fëmijë, „Kurora”, Gjilan, 2008

„Nazif Përlepnica, hero në mes të heronjve”, monografi, „Kurora”, Gjilan, 2008

„Demir Behluli”, monografi, „Kurora”, Gjilan, 2008

„Melodi e pritjes” (bashkautor), poezi për të rritur, „Kurora”, Gjilan  2009

„Vegim i përflakur”, tingëllima për të rritur, „Kurora”, Gjilan, 2009

“Melodia e pritjes” në gjuhën rumune, përkthyer nga B. Ymeri, Bukuresht, 2009

„Në ty e kam shpirtin”, poezi për të rritur,  „Kurora”, Gjilan, 2010

„Etje e pashuar”, panoramë letrare, „Nositi”, Dardanë, 2010 (bashkautor)

„Rreze për ylber” poezi për fëmijë, „Kurora”, Gjilan, 2011

„Në prehër të idilës”, poezi për të rriur, „Kurora”, Gjilan, 2016

„Psherëtimë për tokën II”, panoramë letrare”, Kurora”, Gjilan, 2016

„Kosovë është deri te Molla e Kuqe”, monografi, „Kurora”, Gjilan, 2016

„Kërkimi i metaforës”, vështrime kritike, „Kurora”, Gjilan, 2016

„Me t’mbet pikë në zemër”, poezi për të rritur, „Kurora”, Gjilan, 2016

Demir Krasniqi – jehonё e kёngёs patriotike”, „Kurora”, Gjilan, 2017

„Asllan Shahin Dushica, kreshniku i kohës së tij”, „Kurora”, Gjilan, 2017

„Rreth flamurit  të përbashkuar”, monografi, „Kurora”, Gjilan, 2018

„Rruga e kthimit”, roman për fëmijë, „Kurora”, Gjilan, 2018

„Motra kërkon vëllezërit”, dramë për fëmijë, „Kurora”, Gjilan, 2018

„Nëpër valët e rritës letrare”, botoi „SHB „Kurora” Gjilan, 2019

„Mundet edhe ndryshe”, poezi për të rritur, „Kurora”, Gjilan, 2019

„Varg i shkëputur”, poezi për të rritur, „Lena”, Prishtinë, 2020

„Jehu i fjalës”, SHB „Lena”, Prishtinë, 2020

„Romancë e përflakur I”,  SHB „Kurora”, Gjilan, 2021

„Romancë e përflakur II”, SHB „Kurora” Gjilan, 2021

„Në kuptim të fjalës”, Kritikë letrare, SHB „Kurora”, Gjilan, 2021

„Shkëndija nuk i kishte sytë e mbyllur”, pjesë teatrale për fëmijë, „Lena”, Prishtinë, 2022

„Nëpër fije të nyjëzuara”, SHB „Kurora, Gjilan, 2021

 

KODOSHI

(E përpunuar)

Në sofrën me pak meze
E shumë gëzim shprese
Kënga çelte shtegun e errësirës

Nën diell re e nën re hije
Mbillej lisi e prehej lisi
Duhej fisi e shahej fisi

Po vjen Kodoshi
Rrëfen kasneci
Fare afër. Është te koshi

Merret me qenin
Se ia ka zënë vendin

Ndalet kënga
Hesht çdo gjë
As cikërrimë
As gëzuar

Fytyra nga fytyra kthyer
Syri syrin shikon
Atmosfera ndryshon

Vjen Kodoshi. Ai do raki
 Edhe këngës ia fillon
Me zë të lartë bariton

“…Frynë murlani me stuhi
Qielli se ç’bumbullonte”…
Vetëm një zë dëgjohet

Njihet zëri i imponuar
I një kënge hit i kohës

Ngrihet zëri
Shuhet hareja
Nga re errësira
Ndotet hapësira

Ma shkel këmbën miku pranë
Dhe me bërryl në ije më prek
Mesazh i qartë me zërin mek’

Kodoshi duket i gëzuar
Vetja i duket si askush
Epitetin s’e kupton
Unë për ju thotë jam babush

“… Nën flamurin kuqezi
Çetës po i printe…”
E dikton se diçka nuk shkon
E pi një gotë dhe turfullon

Errësira mbulon qiellin
Edhe Kodoshit i mbyllet sheshi
Nuk iu shtrua për ngrënie përsheshi

Nuk e grith  fytyrën se pendohet
Ankon përpjekjen që i shkoi kot
Vrapon sheshit në errësirë vetë
Dikush atje për lajme e pret