Hydajet Hyseni

Hydajet Hyseni lindi më 10 mars1954, në Përlepnicë të Gjilanit. Ka studiuar gazetari-diplomaci dhe ka punuar gazetar i “Rilindjes” së Prishtinës. Në rini – disa vjet ilegal, pjesë e Lëvizjes së fshehtë çlirimtare të kohës dhe i shtypit ilegal; për shumë vjet – në burg politik, pas lirimit – veprimtar politik i Alternativës së kohës, i lidhur me Lëvizjen e fshehtë, LPK-në. Njëkohësisht edhe anëtar dhe nënkryetar i KMDLNJ-së, gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i gazetës,”Bujku” (“Rilindja”). Njëri nga pjesëtarit në Konferecën e Rambujesë, anëtar i Qeverisë së përkohshme dhe bashkëdrejtues në strukturat e përbashkëta administrative. Deputet shumëvjeçar, anëtar i kryesisë, përfaqësues disavjeçar i Kuvendit të Kosovës, në KGJK si dhe në Asamblenë Parlamentare të KE-së…
Nga viti 1995 – kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë; nismëtar i Këshillit të Paqes në Kosovë, bashkëkoordinues i Këshillit Shqiptar për Paqe dhe anëtar i Këshillit Global të FPU-së.
Është kryesues i KP të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Flet gjuhën frënge, angleze, serbe dhe në mënyrë pasive edhe italisht e gjermanisht.
Jeton në Prishtinë.

Deri tash ka botuar:

Këngët e lirisë“,

Pushka amanet“,

Përrallat flasin gjuhën time“,

Paraverë në katër pamje“,

Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion“,

etj.

 VITI I RI

 PAS GRILASH

Rreth tavolinave fytyra gri,

Si dollomatë e tyre;

Në mur një bredh

I vizatuar në letër;

Ata janë e nuk janë aty;

E as vetë nuk e dinë,

Në presin Vitin e Ri,

Apo përcjellin Vitin e vjetër…

N’ekran përdridhet një zonjë,

Dikush thellë psherëtin,

Ujë kolonje pi një tjetër.

Aty-këtu ndonjë buzëqeshje

Artificiale, e shtirur

Si bredhi i Vitit të Ri,

Vizatuar në letër.

Burgu “Deligrad”, Nish, 1991