Hamit Zogaj

Lindi më 18.04.1954 në fshatin Divjakë, komuna e Lipjanit. Shkollën fillore katërklasëshe e kreu në fshatin Kleçkë, kurse klasat e tjera në Shalë. Pastaj ndoqi mësimet në shkollën e mesme normale të Prishtinës, të cilën e përfundoi në vitin 1974. Po këtë vit filloi të punojë në shkollën fillore të fshatit Kleçkë. Njëzet vjet iu përkushtua profesionit të mësuesit duke punuar me klasë të kombinuara dhe në kushte tejet të vështira. Pastaj u regjistrua me korrespondencë në shkollën e lartë pedagogjike në Gjakovë, drejtimi biologji-kimi.
Në vitin 1994 shpërngulet në fshatin Komoran, komuna e Drenasit dhe nis të punojë në shkollën fillore të Nekocit, deri në vitin 1999. Pas përfundimit të luftës punon në shkollën fillore të Komoranit deri në pension.
Gjatë periudhës së luftës u angazhua në Brigadës 121 Kumanova, në sektorin ushtarako-civil. Tani gëzon statusin e veteranit pjesëtar.
Me shkrime u mor që herët. Nga dëshira për të krijuar, shkroi disa vepra, por, për fat të keq, të gjitha dorëshkrimet e paraluftës iu dogjën së bashku me shtëpinë. Por sërish vazhdon të shkruajë dhe kështu dhe të botojë veprat e tij, kryesisht në shtëpinë botuese “Meshari” të Prishtinës.

Ka botuar këto vepra:

Vargje nga zemra, poezi, 2013

Gjurmëve të lirisë, poezi, 2014

Errësirën nuk e sjell veç nata, roman, 2016

Për vendlindjen time, poema, 2018

Unë dhe rrëfimet e mia, tregime, 2019

Malet e Berishës strehë dhe qëndresë, roman, 2020

RRUGË E LIRISË

Dhëmbë i natës gërryente pa mëshirë
Dielli larg vonohej së tepërmi
Trëndafilat vyshkeshin për pak dritë
Pështilleshim e nuk dinim se ku vemi.

Rruga zgjatej si spirale e rrahur
Rrapëllonin dyer e dritare
Vriteshin errësirës së natës
Gurët ngritur në lapidarë.

E vuajtur ishte kohë e shëmtuar
Ëndërr e vrarë nga stuhitë
Sytë kërkonin ngjyrat e lirisë
Të gjithë vuanin për pak dritë.

Malet gjëmonin e thërrisnin
Bubullimat rrokullisnin retë e trazuara
Mbështilleshin stinët, nuk rrinin të qeta
Lëviznin pa pra shpirtra të rebeluar.

Nëpër shkrepa lart ku shkrihej  bora
Maleve iu veshën në të ftohta fije
Në lugina, në gurra e përrenj
U shndërruan në kreshnikë malësie.

Në kulla guri kala strehimi
U shtrua sofra shtëpi më shtëpi
Ne e sjellim lirinë, nuk presim
Ndryshuan faqet në histori.

Në qiell përplot re të zeza
Fluturuan lart shqiponjat
Shkreptimë e bubullimë gjithë vendit
U vu themeli për tri shkronjat.