Haki Ahmeti

Haki Ahmeti lindi më 1.07.1946, në Brod të komunës së Shtërpcës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në shkollën “Skënderbeu” të Kaçanikut.
Një kohë të gjatë punoi në shkollën fillore në vendlindje, pastaj disa vjet në Gjermani, kurse pasi u kthye në atdhe, u angazhua në veprimtari politike, qe dhe delegat i Kuvendit të komunës së Shtërpcës.
Me shkrimi filloi të merret pas moshës tridhjetëvjeçare. Në fillim shkroi për fëmijë, pastaj mblodhi dhe publikoi folklor të vendlindjes e më gjerë. Bashkëpunoi me Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku ka dorëzuar 400 këngë popullore, më shumë se 3000 fjalë të urta, një numër të konsiderueshëm anekdotash, 225 paralajmërime popullore meteorologjike dhe besëtytni të ndryshme, si dhe materiale të tjera të rëndësishme folklorike.
Fillimisht botoi vjersha për fëmijë nëpër gazeta e revista të ndryshme, si në “Rilindje”, “Pionieri”, “Zëri i rinisë”, “Zog mëngjesi”, “Flaka e vëllazërimit” etj., që botoheshin në Prishtinë e në Shkup.
Shumë punime të folklorit, që i ka mbledhur në treva të ndryshme, janë botuar në disa botime të Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1999) i kanë humbur rreth 270 poezi në dorëshkrim, si dhe 700 aforizma në shtëpinë e tij, ku policia serbe si gjithandej shkatërroi gjithçka.
Komunikon në katër gjuhë: anglisht, gjermanisht, turqisht dhe serbokroatisht.
Jeton dhe vepron në SHBA.

Ka botuar këto vepra:

Ninulla, këngë, bashkautor, IAP, Prishtinë, 1982
Këngë dhe lojëra të fëmijëve, IAP, Prishtinë, 1983
Anekdota, bashkautor, IAP, Prishtinë, 1988
Fjalë të urta, KL “De Rada”, Ferizaj, 1985
Rënia e Satanait, poezi, “Iliriku”, Prishtinë, 2003
Ditë shprese, poezi, “Spektri”, Prishtinë, 2004
Gënjeshtra në Shesh, poezi për fëmijë, SAS, Prishtinë, 2005
Aforizma, Prishtinë, 2006
Aforizma II, Prishtinë, 2008
Aforizma III, Prishtinë, 2010
Aforizma IV, Prishtinë, 2011
Aforizma V, SHB “SAS”, Prishtinë, 2013
Fjalë të urta popullore, Prishtinë, 2014
Paralajmërime meteorologjike popullore dhe besëtytni për fatkeqësitë natyrore, Prishtinë, 2014
Aforizma VI, “Zero Print”, Prishtinë, 2016
Aforizma VII, “Meshari”, Prishtinë, 2018