Habib (Nezir) Zogaj lindi më 15.04.1957, në Turjakë të Malishevës. Shkollën fillore e kreu në Lumishtë, të mesmen në Malishevë e në Kijevë. Ka studiuar ekonomi dhe letërsi. Ka punuar katër dekada në gazetari. Përvojën si gazetar e ka filluar në Radio-Gjakova. Ka bashkëpunuar edhe me Radio-Prishtinën, gazetat “Rilindja”, “Bujku” e “Kosova sot”. Ka pasur angazhime në TV Opinion dhe ka zhvilluar forma të ndryshme bashkëpunimi me shumë radiostacione rajonale e lokale në Kosovë.
Në vitet e ’90-ta të shek. XX, ka udhëhequr Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptar (LASH), duke u kujdesur (në rrethana të vështira) për 16 shkolla fillore dhe dy shkolla të mesme që kishte atëherë komuna e Malishevës.
Është ndjekur, maltretuar dhe torturuar fizikisht nga policia serbe (rasti më i rëndë qe më 15 shtator 1993) në stacionin e policisë në Rahovec, me pasoja të rënda shëndetësore.
Ishte ushtar i UÇK-së. Kontribut i ilegales së tij (mbështetur nga SHP i UÇK-së) është  Njësiti i Panorcit dhe i Turjakës dhe disa detyra të tjera. Ishte gazetar dhe reporter i luftës i Radios-Kosova e Lirë dhe i agjencisë së lajmeve “KOSOVAPRESS”.
Ka ekspozuar materiale të ndryshme dhe faktografi të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, Tiranë, Prizren, Kukës, Lushnjë, Astrazup, Malishevë, Klinë e gjetiu.
Është laureat i urdhrit për trimëri dhe heroizëm “Imer  Krasniqi” të KK Malishevë, 2014.
Është laureat edhe i disa çmimeve të tjera.
Prej 1 marsit 2001, Llapushës i ka dhuruar Radio-Malishevën.
Ka publikuar nëntë vepra.

ELEGJI

(Për shokun e luftës që vdiq në kurbet)

Ja ku po ta them
Këtu në sofrën e në bukën e Ymer Prizrenit
Re të zeza e kanë pushtuar qiellin
Rigat e shiut në syrin tim

Të lumtë për luftën në Koshare
Për medaljonin gdhendur vrazhdë në trup
E për ndjenjën kombëtare

Falëmeshëndet shokëve
Edhe unë jam nisur moti
Po s’po mundem se… po e sheh edhe vetë
(as gjallë as vdekur)

E disa këtu janë trashur nga haja
Vakt e pa vakt
Unë po shkruaj
Një cikërr elegji
E nëna zemërplasur
Me duar në gji

Po ndrydhet për mua e pa ty