Fjolla Agusholli

FJOLLA AGUSHOLLI

Fjolla Muhaxhiri – Agusholli lindi më 27.03.1985, në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në SHFMU “Zekeria Rexha” në vendlindje, ndërsa të mesmen, teknike e farmacisë, në SHM “Hysni Zajmi” në Gjakovë. Studimet i ndoqi në Fakultetin e Edukimit të universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Ka filluar të shkruajë nga fëmijëria. Shkrimet e para i janë botuar në revistat shkollore e të rinisë, si “Ideja”, “Zog mëngjesi” etj. Pas një kohe, në qershor të vitit 2022, realizoi ëndrrën e saj, botoi vëllimin poetik “Mbretëresha e natës”, i cili është mirëpritur nga lexuesit dhe kritika letrare. Poezitë e saj janë botuar edhe në shumë revista, gazeta e portale, si: “Qendra Press”, revista “Orfeu”, “Gazeta letrare”, gazeta “Nacional” etj.
Është vlerësuar me çmimin e publikut nga qendra kombëtare e poetëve, e shkrimtarëve dhe e artistëve “Gjakova”.
Është bashkautore e veprave “Kufijtë e pritjes” dhe “Rreshtat e bardhë”.
Autorja në të njëzetat e saj i dha lamtumirën botës me ngjyra dhe tani ajo jeton me petkun e errësirës, pra, jeton si e verbër! Megjithatë, ajo dëshmon që artin e fjalës së bukur dhe të shkruar nuk e ndal asgjë në jetë, madje as verbëria. Mjafton të kesh motiv e pasion dhe çdo gjë mund të arrihet. Pas debutimit me sukses në letrat shqipe me poezi, ajo iu rrek pasionit të saj të shkrimit dhe kësaj radhe deshi ta sfidojë veten edhe në prozë, duke e sjellë para lexuesit romanin e saj autobiografik të titulluar “Trëndafili që nuk e vyshkën stuhitë”. Fjolla me këtë libër përcjell te lexuesi i saj mesazhin emblematik: “Të jesh i lumtur nuk është fat, por është zgjedhje.”

TI JE FLAKË MALLI

Tek unë busullat e ndjenjës ti m’i lëvize
Ti që lëvize horizontin për mua
Unë trokita në portën e dashurisë mu aty ku ti prisje
Ti hijelart që më dehje kur më the të dua 

Unë për ty shkrihem sikur një copë akull para rrezes së diellit
Ti për mua do t’mbetesh dashuri platonike
Unë shigjetohem me zemrën sikur vetëtima me retë e qiellit
Ti asnjëherë nga petku i afshit të flaktë nuk ike 

Unë me hapa të ngadaltë por sigurt erdha te shpirti yt
Por ti me hap e vrap erdhe tek unë dhe m’i puthe sytë
Unë ta lëviza globin e zemrës dhe e ndala aty ku dua
Ti këtë e kuptove që si flakë malli je për mua 

Ti m’i lëvize busullat e jetës
Unë lëviza horizontin për ty
Ty që më je bërë titulli më i bukur i veprës
Ma solle prapë hijelartën e buzëqeshjen në të bukurit sy