FITORE HAKLAJ

Lind më 30.11.1973 në Deçan. Shkollën fillore e kreu në Isniq, të mesmen në Deçan, ndërsa më pas u regjistrua në fakultetin ekonomik në Prishtinë.
Qysh e vogël e deshi pikturën, muzikën, vallëzimin e shkrimet. Në klasën e tetë, nga shkolla e saj, morën pjesë katër nxënës në gara të recitimit që u mbajtën në Deçan, ku me poezinë “Bukuria e Tanushës”, që e deklamoi para publikut, zuri vendin e tretë.
Në vitin 1998 shkon në Itali, ku me shumë vështirësi bën një jetë larg familjes dhe tokës së vet. Gjatë kësaj kohe fillon të pikturojë me ngjyra vaj në bez, ku kryen disa kurse për disa vite me shumë suksese. Paraqitet me disa mostra të pikturës bashkë me kolegët e saj dhe arrin një sukses të konsiderueshëm, ndaj edhe sot e kësaj dite piktura merret me pikturën.
Gjatë këtyre viteve punon e studion në Itali, duke punuar në emergjencë si vullnetare për shumë vite. Në vitin 2015 fillon studimet në një shkollë private dhe merr diplomën si “sekretare e mjekut”.
Nga viti 2019 Fitorja jeton në Zvicër me familjen e vet dhe merret me pikturë edhe shkrime.
Si nënë që merret me shumë përkushtim me fëmijët e saj, edhe pikturon me pasion dhe merret me krijime poetike, duke pasur gjithnjë përkrahjen e familjes.

Ka botuar këto vepra poetike:

Shpirti peshon”, poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2019

Peizazh në zemër”, poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2019

Melodi vargu”, poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2021

Ti, mbretëreshë e dhembjes sime”, poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2021

MOLIKË E SHENJTË E PASAPORTËS SIME

Te molika ku krijohet poezia e lirë
Aty takohen dy shpirtra të mirë
Syri çmallet me bukuritë
E zemra në heshtje nxjerr këngë

Vargu këtu ka më shumë peshë
Më çmall kur vij në të bukurën vendlindje
Aty janë rrugëtimet e mia me shumë kujtime
Molika e shenjtë e pasaportës sime

Aty ku këndova për herë të parë
Kur fati deshi dhe më trokiti në derë
Eh se ç’më solli gëzime mall e lot
Sa herë vij te ti e bukura Molikë

Nga ajo ditë u bëra edhe pakëz poete
Ti që më frymëzove me vargje flori
Mu aty i rendita dita-ditës si pahiri
Në kujtime përherë më rri vetëm ti

Edhe sonte të takova si dikur
Ishe e bukur sikur ditën e parë
Por ndarja nuk ishte aspak e lehtë
Fryma jote me lot më përcolli

Do të vij prapë moj e bukura Molikë
Më prit sikur më prite për çdo vit
T’ia themi këngës të dy bashkë
E ta kujtojmë vargun tim të parë