FETAH BERISHA

Lindi më 20.12.1944, në fshatin Drenoc të komunës së Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Rahovec (gjenerata e parë në gjuhën shqipe), shkollën e lartë pedagogjike, drejtimi gjuhë dhe letërsi shqipe në Gjakovë, kurse fakultetin filozofik – gjuhë dhe letërsi shqipe dhe magjistraturën në Universitetin e Prishtinës.
Punoi mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri” të Drenovcit, në gjimnazin “Ramiz Sadiku” të Rahovecit dhe në tetëvjeçaren “Pjetër Bogdani” të Prishtinës.
Mori pjesë në demonstratat studentore të vitit 1968 dhe 1981. Burgoset në vitin 1981 dhe Gjykata e Qarkut në Prishtinë e dënon me dy vjet burgim. Pas burgut, plot 16 vjet mbeti pa punë dhe kështu i ndalohet puna në arsim.
Në vitin 1990 futet në lëvizjen nacionale demokratike dhe është njëri nga themeluesit e LDK-së, dega në  Rahovec. Si kryetar i degës, ishte prijës i themelimit të Qeverisë Komunale Shqiptare, paralele asaj serbe, me të gjitha drejtoritë… edhe atë të Mbrojtjes Territoriale dhe Punëve të Brendshme. Ishte dy mandate kryetar i degës së LDK-së.
Nën udhëheqjen e tij, si kryetar i Degës së LDK-së organizohet referendumi për Republikën e Kosovës, zgjedhjet demokratike pluraliste, presidenciale dhe parlamentare. Në këto zgjedhje, të vitit 1992, zgjidhet deputet i Parlamentit të Kosovës.
Funksiononte Këshilli për të drejtat e njeriut dhe për pajtimin e gjaqeve.
Dega e LDK-së bashkëpunonte më KSBE (OSBE); themelohet dhe funksionon shoqata bamirëse “Nëna Terezë” , “Kryqi i Kuq”, “Familja ndihmon familjen” etj.
Për veprimtarinë e tij politike legale, pushteti okupues serb e arreston disa herë, duke maltretuar shumë fizikisht. Kështu, më 29.07.1994, arrestohet nga policia serbe, keqtrajtohet tërë ditën dhe si pasojë e plagëve të rënda dërgohet në spitalin e Gjakovës, ku ka qëndruar 16 ditë nën kujdesin e vazhdueshëm të dr. Fehmi Vulës.
Kur u zbulua organizimi për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, me sugjerimin e prof. dr. Fehmi Aganit, detyrohet bashkë me Hamzë Morinën të kalojë në Republikën e Shqipërisë, ku qëndron tre vjet.
Pas Luftës së UÇK-së, dy mandate ishte drejtor i DKA-së në Rahavec. Më 2004, në zgjedhjet nacionale, zgjidhet deputet i Parlamentit të Kosovës. Është Ambasador i Paqes Universale, anëtar i LSHK-së, kurse është nderuar me shumë mirënjohje për veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij.

Ka botuar këto vepra:

 “LDK e Rugovës në Rahovec”

“Shqiptare nuk bën vetëvrasje”

“Ndihmesa e Mahir Domit për standardizimin e gjuhës shqipe”

“Mall dhe dhembje”

“Poezi për Kosovën”, antologji

MOS IKNI…

Mos ikni, rrini këtu,
Mos e braktisni vendin
Kosova nuk vjen pas jush
Kosova është djepi ynë.

Jashtë atdheut mos shkoni
Rrini këtu ku keni lerë,
Ngado që shkoni e punoni
Si në atdhe nuk keni vlerë.

Këtu janë malet, fushat e gurrat
Këtu keni prindërit, nënë e baba,
Këtu është farefisi me burrat,
Këtu është mikpritja, o vëlla.

Autobusët me të rinj përplot
Bartin rininë tonë në pakthim,
Kosova po zbrazet dje e sot
Pse kështu i dashuri vendi im?!