FETAH BAHTIRI

Lindi më 11.10.1943 në fshatin Lisicë, komuna e Mitrovicës. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Mitrovicë, kurse fakultetin filozofik, dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe fakultetin juridik në Prishtinë.
Ka punuar mësues klase, arsimtar i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, asistent i Anton Çettës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, drejtor shkolle, përkthyes, jurist etj.
Është marrë edhe me gazetari e me folklor, ka shkruar edhe ndihmesa shkencore. Ka qenë redaktor, recensues dhe lektor i shumë librave të autorëve shqiptarë në atdhe dhe në mërgatë.
Prej vitit 1991 jeton dhe vepron në Suedi, ku gjithnjë merret me shkrime, me interpretime gjuhësore dhe me përkthime, i licencuar dhe i autorizuar nga Kammatkollegiet (Agjencia për Shërbime Juridike, Financiare dhe Administrative e Suedisë).
Është bashkëthemelues i lidhjes së arsimtarëve shqiptarë ”Naim Frashëri”, Dega në Suedi, si dhe i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë ”Papa Klemendi XI Albani”, Suedi, nënkryetar i saj dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë (Sveriges Författarförbund).
Për punën, angazhimin dhe ndihmesën e tij është nderuar me shumë e shumë mirënjohje, lëvdata, falënderime dhe dekorata nga institucionet kombëtare, nga shoqata e asociacione të ndryshme në atdhe dhe në mërgatë, ndër të cilat: nga Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë (7 mars 2012), Republika e Kosovës, Ministria e Diasporës (nëntor 2012 dhe 05.08.2015), Komuna e Mitrovicës (korrik 2014 dhe 27.07.2015), Komuna e Strugës, Maqedonia e Veriut (7 gusht 2014), shoqata e veteranëve të arsimit ”Hasan Prishtina”, Vushtrri (07.03.2017), Lidha Demokratike e Kosovës – Dega në Suedi (31.03.2018); laureat i dekoratës – ”Urdhri Adem Jashari” nga Shoqëria Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Tiranë (më 31 tetor 2013), i dekoratës ”Papa Klementi XI Albani” (më 20.11.2921); është shpallur ”Anëtar nderi” i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri – Itali (28.07.2018), kurse Shoqata e Shkrimtarëve e Pejës ia ka dhënë ”Çmimin e karrierës” (2019).

Veprat e tij kryesore:

Kangë për Zaden, poezi, Klubit letrar ”Trepça”, Mitrovicë, 1968
Planprogram mësimor për gjuhën shqipe si gjuhë amtare në shkollën suedeze, “Toena”, Tiranë, 2000
Ambasadorët dhe shërbëtorët, libër për refugjatët shqiptarë në qytetin Uddevalla të Suedisë, SHSH e Mitrovicës ”Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2007
Rrugëtim i dashurisë, roman, SHSH e Mitrovicës ”Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2011
Ordlista för tolkar, (bashkautor),  botues: Fritzes och Tolk- och översättarinstitutet, Stockholm, 2011
Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick (monografi), SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2012
Monolog në mërgim, poezi, SHSH e Mitrovicës ”Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2012
Dritë, ngrohtësi, optimizëm, libër dokumentar për shkollën shqipe në Strehimoren Svenshögen, Suedi, 1991 – 1994, Suedi, Prishtinë, 2012
Kur i mbusha 70 vjet, Suedi, SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2014
Faleminderit, Mitrovicë, SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2015
Nga diaspora krijuese e shqiptarëve të Skandinavisë, FETAH BAHTIRI, Revista “Albanezul”, Bukuresht, 2015
Fragmente të zgjedhura, SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë,
2017
Svensk – Albansk ordlista, begrepp, fraser och råd inom sjukvården (Fjalor, shprehje, fraza dhe këshilla në shërbimet mjekësore suedisht – shqip), SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2018
Svensk – Albansk ordlista och fraser inom sjukvården 2 (Fjalor dhe fraza në shërbimet mjekësore suedisht – shqip 2), “Lena Graphic Design”, Prishtinë, 2019
Verser i exil (Vargje në mërgim), SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2020
Unë quhem Drita… (Leksione suedisht – shqip), SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2021
Bibliografi e anëtarëve të shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2021
Reflektime, SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2022

NJË LIBËR I KOMPLETUAR PËR MËRGATËN

Qerim Kryeziu, “Shqiptarët në retrokujtesën nordike”, Prishtinë, 2022.

Libri më i ri i veprimtarit, gazetarit dhe arsimtarit në gjuhën shqipe në Suedi, që mban titullin ”Shqiptarët në retrokujtesën nordike (Veprimtaria kulturore e mërgatës shqiptare në Suedi)” i autorit Qerim Kryeziu, është botuar nga SHB” Artini”, Prishtinë, më 2022. Autori librin e ka ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, Qerim Kryeziu thellohet në të dhëna historike për Gadishullim e Skandinavisë dhe në historikun e vendeve që e përbëjnë këtë gadishull: Suedia, Danimarka, Islanda, Norvegjia, Finlanda dhe ishujt që shtrihen rreth këtyre vendeve. Ai paraqet të dhëna historike për vikingët, të cilët në vitin 1081 kishin pushtuar edhe disa pjesë të Shqipërisë, për të kaluar pastaj në epokën e Skënderbeut dhe njohuritë për këtë figurë emblematike, që ishte bërë frymëzim për krijime të shumnëllojshme artistike, historike, letrare etj. në Islandë, Danimarkë, Suedi, Finlandë dhe Norvegji.
Autori është thelluar mjaft shumë edhe në kontributin e nordikëve në fushën e albanologjisë dhe jep të dhëna biografike dhe për ndihmesën e tyre për shqiptarët, historinë, gjuhën dhe kulturën e tyre. Këtu jepen të dhëna për autorët: Ludvig Holberg (1684–1754), Johan Erik Thunman (1746–1778), Stephan Zannovich (1751–1786), Thure Gustaf Rudbeck (1806–1876), Holger Pedersen (1867–1953), Sven Aurén (1906–1985), Franklin Gårdlund (1887–1954), Ullmar Qvick (i lindur më 1934), Göran Wassenius (1939–1917), Sören Sommelius (1941), Örjan Sturesjö (1942), Thomas Nydahl (1952), Peter Kadhammar (1956), Anna Lindh (1957-2003), Anders Wessman (1962), Kristoffer Leandoer (1962) dhe Knutte Wester (1977).
Në vazhdim jepet një kronologji e shkrimeve dhe e botimeve në gjuhën suedeze për shqiptarët për periudhën 1774–1999 për të pasuar me të dhëna për disa suedezë të dalluar, që e mësuan gjuhën shqipe dhe kishin njohuri të konsiderueshme për shqiptarët, ku përmenden: Bosse Jansson (1949 – 1976), Lars-Erik Morin, Thomas Rosén, Göran Karlsson, Lena Petersson dhe Lena Sanver për të theksuar se ”sot ka shumë suedezë që kanë filluar të mësojnë shqip apo që dinë të flasin shqip. Qëkur u vendosën shqiptarët në Suedi, miqësia suedeze-shqiptare lulëzon.”
Në pjesën e dytë të këtij libri të rëndësishëm, Qerim Kryeziu ndalet në veprimtarinë kulturore të mërgatës shqiptare në Suedi. Në vitin 1916 ”mbase i pari shqiptar që shkeli në Suedi, ishte Faik Konica”, thekson autori, për të vazhduar me emrin e studentit të kimisë, Besnik Sytja, i cili ”në ditën e mbrojtjes së disertacionit, kishte vdekur”. Në Suedi kishin qëndruar edhe mbreti Ahmet Zogu, shkrimtarët Vedat Kokona, Petro Marko, Sterjo Spasse, Musine Kokalari etj.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet e gjashtëdhjeta, Suedia u shndërrua në destinacion ku kërkohej jetë më e mirë. Shumica e ardhacakëve shqiptarë ishte nga Maqedonia e Veriut. Ndërkaq, që nga viti 1981 fillon emigrimi edhe i shqiptarëve të Kosovës për t’u shndërruar pastaj në pjesën e parë të viteve të 90-ta në njërin prej grupeve më të mëdha të azilkërkuesve, një pjesë e mirë e të cilëve morën lejeqëndrimi. Këta shqiptarë organizuan jetën kulturore e politike, filloi edhe mësimi i gjuhës amtare në shkollat suedeze, u themelua lidhja e arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri”, u hapën shumë shoqata kulturore shqiptare nëpër shumë qendra ku ishin të vendosur shqiptarët, u themelua edhe shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi dhe forma e asociacione të tjera të shumta të veprimtarisë. Filloi edhe botimi i revistave dhe i gazetave në gjuhën shqipe, u hapën radio dhe stacione televizive etj., etj.
Në vazhdim autori në këtë libër sjell edhe emrat e disa veprimtarëve dhe shkrimtarëve që në Suedi kanë shkruar dhe botuar vepra letrare, kurse për disa prej tyre jep të dhëna më të hollësishme siç janë, p. sh., Kosovë Rexha – Bala (1929–2004), Sadulla Zendeli – Daja, Ramadan Rexhepi – Osmani, dr. Muhamet Shatri, dr. Shaqir Shaqiri (1947–2020), Zyrafete Kryeziu – Manaj, Shefki Oseku, Ramadan Tahiri, Ibrahim Metaj (1934-2015), Fetah Bahtiri, Sokol Demaku, Hajdin Abazi, Hamit Gurguri, Rizah Sheqiri, Entela Tabaku, Shqiptar Oseku, Qerim Raqi, Shuquri Sejdijaj, Milaim Zeka, Ramadan Reshitaj, Imri Demisai, Ibrahim Egriu, Rexhep Jashari, Beqir Sadiku, Ismail Rugova, Asllan Muharremi, Hazbi Lalinca dhe Qefsere Bardiqi – Domi.
Në këtë libër vëmendje e rëndësishme u përkushtohet edhe arteve figurative, ku jepen të dhëna për Salih Lutollin, Shyqri Gjurkajn, Visar Ulajn, Rrustem Bujupin dhe Florie Lule Bajraktarin; si edhe teatrit dhe figurave nga kjo fushë, siç janë: Dritëro Kasapi, regjisor, Bashkim Neziri, aktor dhe Fortesa Hoti, aktore.
Nga këngëtarët operistikë përmenden: Xhelal Bakraqi, Ahmet Selim Bella, Dardan Bakraqi dhe Edi Muka. Ndërsa nga fusha e sportit paraqiten Lutfi Kolgjini dhe Kosovare Asllani, kurse nga fusha e gazetarisë dhe e politikës shkruhet për Diamant Salihun, gazetar, Adnan Dibranin, deputet dhe Avni Dervishin, politolog, për të vazhduar me prezantimin e shkurtër të letërsisë suedeze në gjuhën shqipe dhe shqipëruesit e letërsisë suedeze në Suedi, siç janë, p. sh., Kosovë Rexha – Bala, Ramadan Rexhepi – Osmani, Shefki Oseku, Adil Biçaku, Sadulla Zendeli – Daja, Shqiptar Oseku, Entela Tabaku, Rizah Sheqiri, Qerim Raqi, Hamit Gurguri, Zyrafete Loshaj, Sokol Demaku, Rita Çifliku dhe disa të tjerë.
Për t´u kompletuar ky libër sipas kritereve përkatëse, në fund është dhënë edhe literatura e shfrytëzuar për përpilimin e tij.
Duke pasur parasysh përmbajtjen e materialit të shtruar në këtë libër, pa hamendje mund të theksohet se kjo vepër është e kompletuar mirë dhe paraqet një vlerë të jashtëzakonshme për kontributin e shteteve nordike për shqiptarët ndër shekuj e në mënyrë të veçantë për mërgatën shqiptare në Suedi. Janë sqaruar bukur sidomos fillet e lulëzimit dhe të rritjes së organizimit të veprimtarive të mërgatës shqiptare në Suedi, ku një gjë e tillë është mundësuar falë dispozitave ligjore të këtij vendi nordik, por edhe angazhimit të mërgatës sonë në shërbim të kombit dhe të atdheut. Në këtë mënyrë janë lënë edhe gjurmë shqiptare në Suedi. Gjurmë të këtilla me këtë libër ka lënë edhe Qerim Kryeziu.
Autori Qerim Kryeziu ka bërë një punë të mrekullueshme, që lexuesve t’u japë në duar konkretisht retrokujtesën nordike për shqiptarët dhe aktualitetin e angazhimeve të mërgatës shqiptare në Suedi.