Fazli Ferati

FAZLI FERATI

Lindi në vitin 1957, në Çabiq, komuna e Klinës. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Kijevë, kurse fakultetin filozofik – dega letërsi e gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Punoi në arsim deri në pension.

Ka botuar këto vepra:

Heshtja që flet, poezi, “Rozafa”, Prishtinë, 2016
Varg malli, poezi, “Lena graphic”, Prishtinë, 2018
Anekdota dhe rrëfime, “Lena graphic”, Prishtinë, 2018
Mos hesht varg, poezi, “Lena graphic”, 2021
Klithje kohe, poezi, “Lena”, Prishtinë, 2021
Mos shkoni, dramë për fëmijë, “Lena”, 2022
Prisja, poezi, “Lena”, 2022
Të njoha, poezi, “Lena”, 2022
Nëse ke bukurinë, poezi, “Lena”, 2022
Shpirtin e pyesin yjet, poezi, “Lena”, 2023

ATDHE

Atdhe, sa herë e përmendim emrin tënd
Të krahasojmë me ëndrrën më të bukur.
Kur e ndiejmë frymën tënde,
Ajo na dhuron forcë për të ecur më tutje
Si në kohë të vështira për të jetuar
Edhe një ditë të bekuar për gjakimin e lirisë,
Dashuria për ty nuk njeh mort
As të djeshme, as të sotme,
Njeh vetëm përjetësinë.
Të kam dashur edhe në ditët më të vështira,
Kur kishe plagë në trup e shpirt
Edhe atëherë kur plagët të kullonin gjak,
Kur jeta me vdekjen qëndronin pranë,
Ku vetëm një fije floku e ndanin njërën prej tjetrës.
Edhe atëherë në ditët pa diell, kur shkrepnin rrufetë mbi këto troje,
Edhe atëherë kur derdhej gjaku si lumë, nga bijtë e bijat e këtij nënqielli,
Të dua edhe sot, kur merr frymë lirshëm, s’kam ku të të çoj,
Je imi atdhe, me një gjuhë e një flamur,
Ke rrënjë të forta, me degë të shtrira gjithandej nëpër botë,
Por një brengë e kam në shpirt, nënën po e lini vetëm
E këtij nënqielli po i mungojnë zogjtë.
Vallë, si mund ta quaj shtëpi, ku aty s’frymon njeri,
Si mund ta quaj pranverë
Kur s’dëgjohet kënga e zogjve asnjëherë.
Kthehuni, o zogjtë e këtij nënqielli e gëzoni nënën,
Ua ktheni gëzimin nënave e atdheut pranverën,
Të duam në kthesa jete, nëpër rrëfime lavdie,
në çastet më të rënda, ti shndërrohesh në dritë,
Për t’na drejtuar në rrugën që duam.