Fatime Ahmeti

Fatime Ahmeti (Fara) lindi më 15.4.1954 në fshatin Gjelbrishtë (ish-Hajkobillë) të komunës së Prishtinës. Arsimin e ulët e përfundoi në Miradi të Ulët, kurse akademinë pedagogjike në Prishtinë. Që nga viti shkollor 1972-1973 punoi në shkollën “Selman Riza” dhe atë “Daut Bogujevci” të Fushë-Kosovës.

Shkrimi letrar ka qenë hobi i saj i përhershëm. Ka botuar një përmbledhje poezish, ”Hapësira që është vetëm për mua”, ka dhe një tjetër të përgatitur për botim, ndërsa tre vjet me radhë ka marrë çmime letrare. Shkruan poezi lirike, ndonjëherë edhe satirë dhe tregime të shkurtra. Këto shkrime paraqesin frymëzime në etapat e jetës sonë nëpër cilat ka kaluar shoqëria dhe mbarë populli ynë liridashës.