Ermira R. Jusufi

Ermira R. Jusufi lindi më 8.3.1983, në Vushtrri. Pas shkollës së mesme, ka vazhduar studimet në Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Punimet e saj i ka publikuar nëpër faqe gazetash e revistash, në rrjete sociale, etj., ndër të cilat, në “Nacional”, “Metafora”, “Muzg”, “Bota Press”, “Dituria” (Suedi) etj. Pastaj në shumë ueb-faqe, si: “Metafora”, “Ora shqiptare”, klubi i shkrimtarëve dhe artistëve “Drita”, në “Poezia ime”, “Zemra shqiptare” e në shumë të tjera.

Si bashkautore është paraqitur në mbi njëzet përmbledhje poezish e libra të tjerë dhe antologji. Përveç poezisë, ajo merret edhe me shkrime e analiza publicistike.

Për krijimtarinë e saj poetike është shpërblyer me çmime letrare e mirënjohje të shumta, ndër të cilat, veçohen: Çmimi për motivim krijues “Iljaz Prokshi”, në takimet poetike “Vjeshta dhe vargjet – 2014” dhe çmimi i dytë për poezi në festivalin e poezisë “Guri i Plakës – 2017” në Drenas, çmimi i dytë nga TPSH (2016) në Vushtrri dhe çmimi i tretë në “Flakën e janarit 2017” në Gjilan, etj.

“Sonte zemra ime frymon” është përmbledhja e parë poetike e botuar më 2015.

“Mos ma fundos ëndrrën” është vëllimi i dytë, botuar më 2017.

Aktualisht është kryetare e klubit letrar “Latif Berisha” të Vushtrrisë. Po ashtu është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Jeton dhe vepron në Vushtrri.