PROF. DR. EMIN KABASHI

Lind më 23 janar 1949, në fshatin Drini (ish-Çifllak) të Rahovecit. Shkollën fillore, katër klasë i kryen në vendlindje, kurse katër të tjera në Balldrin (ish-Ratkoc). Gjimnazin e fillon në Prizren dhe e përfundon në Rahovec. Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe e kryen në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë kohës së studimeve punoi mësues dhe arsimtar i gjuhës shqipe në disa shkolla të Kosovës, duke filluar nga vendlindja e deri në Prapashticë të komunës së Prishtinës, Gallak. Një kohë punoi në Gjimnazin e Rahovecit dhe në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës, si dhe në klasë të ndara të këtij gjimnazi në Pleqnar (ish-Kijevë) të Malishevës.
Studimet pasuniversitare i bën në Degën e Letërsisë të Fakultetit Filozofik të UP-së, ku magjistroi me temën “Poetika e Lasgush Poradecit”, në vitin 1979. Ndërsa në vitin 1989 ka mbrojtur tezën e doktoratës me titull “Poetika e poemave të Jeronim de Radës” në Fakultetin e Filologjisë të UP-së.
Nga vitit 1974 deri më 1992 nuk i është mundësuar të punojë në arsim.
Disa herë gjatë jetës është përballur me politikën antishqiptare që bënte Jugosllavia. Kësisoj, nuk i është mundësuar të punojë as në Institutin Albanologjik të Prishtinës, as më 1974, si asistent, as më 1981 kur ishte pranuar si hulumtues i pavarur shkencor. Në Institutin Albanologjik kthehet në shtator të vitit 1992, pasi kishte mbetur pa punë. Nga kjo kohë punon në Institutin Albanologjik, në Degën e Letërsisë, këshilltar shkencor.
Me shkrime ka filluar të merret që nga vitet ’70 të shek. të kaluar. Në fillim, kryesisht me kritikë letrare, e pastaj edhe me shkrime artistike dhe publicistike.

Deri tash ka botuar këto vepra shkencore, letrare e publicistike: 

Njerëz dhe rrugë, roman, Prishtinë, 1990
Dimri i Drinisë, roman, Prishtinë, 1993
Gjaku i shprishur, dy drama (Të fala nga Shkodra) dhe
Përtej harrimit, Prishtinë, 1993
Dashuri në kohë robërie, roman, Prishtinë, 1994
Poetika e poemave të Jeronim de Radës, monografi, IAP, Prishtinë, 1997
Jeronim de Rada – poetika e poemave, monografi, ribotim, Tiranë, 2003
Përtej grilave, roman, Tiranë, 1997
Lasgush Poradeci – jeta dhe vepra, monografi, IAP, Prishtinë, 1997
Nusja dhe lufta, roman, Prishtinë, 1997
Kadare – mendësia shqiptare, studime dhe ese, IAP, Prishtinë, 1998
Robëria, iluzionet, shqiptarët, ese, kulturologji, Prishtinë, 1998
Nusëria e princeshës, roman, Prishtinë, 2001
A erdhi nusja, dramë, Prishtinë, 2002
Liria, dramë, Prishtinë, 2003
Batalioni “Atlaniku” i UÇK-së, monografi, Prishtinë, 2004
Përmasa kombëtare e luftës së UÇK-së, studim, Prishtinë, 2005
Iluzionet, kultura, Atdheu, eseistikë, IAP, Prishtinë, 2005
Udha e madhe e jetës, monografi, Prishtinë, 2005
Shenjat e kujtesës historike (Lufta e UÇK-së në anën e Malishevës), monografi, Prishtinë, 2006
Jeta në udhëkryqet e historisë, monografi, Prishtinë, 2007
Hisja e atdheut (Dëshmorit të Kombit Ymer Krasniqi), monografi, Prishtinë, 2008
Komandanti i lirisë (Dëshmorit të kombit Shemsi Ahmeti), monografi, Prishtinë, 2010
Gjëma e Atdheut, roman, Prishtinë, 2013
Lufta kundër robërisë dhe historia (Idriz Ajet Gashi – jeta dhe vepra), monografi, Prishtinë, 2015
Atdheu i Dëshmorit (Dëshmorit të kombit, Rexhep Bislimi), monografi, Prishtinë, 2017
Të arrestuarit, dramë, Prishtinë, 2017
Plaga e shtatë e Besës, dramë, Prishtinë, 2017

Në gazetën e përditshme Rilindja, të shpërblyer ose të marrë për botim i janë botuar në vazhdime edhe dy romane Kohë e zgjebosur, 1992 dhe Përtej vdekjes, 1994, kurse romani Farë e mallkuar kishte filluar të botohej më 1989, por iu ndërpre botimi i tij.
Në shtypin e kohës, në revista, në botime të veçanta, i janë botuar me dhjetëra njësi bibliografike, kritikë letrare, eseistikë, studime për probleme të letërsisë së Rilindjes Kombëtare dhe të letërsisë së sotme shqipe.
Deri në vitet ’90 të shek. të kaluar dy herë e kishte të ndaluar veprimtarinë botuese.