Drita Nikoliqi – Binaj

DRITA NIKOLIQI – BINAJ

Lindi më 8 nëntor 1950 në Gjakovë në një familje me traditë atdhedashurie. Nga i ati fisnik dhe nëna shkodrane, që kishin kultivuar ndjenjën patriotike kombëtare, mësoi dhe përftoi nga fjalët e tyre se si ta duash kombin. Mësimet e shkollës fillore dhe ato të mesme i kreu në vendlindje, kurse të lartat në Beograd.
Tri vëllimet poetike të botuara të saj, janë dëshmia e mirë e një bote të saj patriotike, mllefi social dhe krenaria. Lehtësim shpirtëror i saj dhe larje borxhi ndaj veprimtarisë atdhetare në shërbim të kombit. 
Poezitë e para të saj nisi t’i botojë në vitin 1982 në gazetën ”Rilindja”, ”Zëri i rinisë” etj.
Është autore e katër veprave poetike.
Anëtare nderi e shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi;
Anëtare nderi e Shoqatës Kombëtare për Miqësi dhe Bashkëpunim Shqipëri-Itali;
Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës;
Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani;
Anëtare e kryesisë galaktika poetike ”Atinus”, përfaqsuese për Vojvodinë;
Anëtare e kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë për Mërgatë (LKSHM).
Ka marrë shpërblimin e parë për poezinë ”Poezia artistike”, 2016, nga Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi, kurse shpërblimin e dytë në manifestimin poetik ”Poetët i këndojnë lirisë”.
Është njëra ndër mbështetëset e dalluara në mërgatë që me mjete financiare ka ndihmuar shoqatat kulturore për veprimtarinë e tyre krijuese.
Për veprimtarinë e saj është nderuar me rreth tridhjetë mirënjohje e falënderime në nivel kombëtar.
Jeton në Novi-Sad të Vojvodinës.

ATJE TË FRYMOJMË  

Do të doja të të takoja  mes valëve të detit miku im
Ku shoh Zeusin dhe Odesenë e lodhur në breg
Në gurët e Orikumit bëhem flutur a zog në fluturim
Mes një dashurie malesh akrokerunësh

Do të ngjitem me ty në Olimp e kurorë do të vë në flokë
Do të bëhem ciceron i mozaikut më të vjetër në botë
Në Zvërnec në manastir me eremitët në Portanovë
Të rrimë përqafuar pranë kalasë së bubullimës që gjëmon  

Atje të jetojmë me antikitetin prehistorinë
Aty të mbetet si relikte dhe dashuria jonë
Të japim frymë  për njëri-tjetrin gjer në të gdhirë
Deri në vegim deri në amshimin