Ismet Hebibi lindi 5.06.1955 në Junik. Shkollën fillore e kreu me sukses shembullor në vendlindje, ndërsa diplomoi si kadet ndër më të suksesshmit në Gjimnazin Ushtarak të Beogradit, më 1974. I pajisur me edukatë patriotike dhe ide përparimtare për lirinë dhe drejtësinë, refuzoi vazhdimin në akademinë ushtarake dhe u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Ka specializuar në Degën e Oftalmologjisë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Shkupit dhe të atij të Prishtinës. Është oftalmolog-kirurg dhe zbulues e shërues i shumë sëmundjeve, me një përvojë 36-vjeçare.

Është veprimtar politik e krijues. Kontakton me struktura të njohura politike botërore për çështjen e Kosovës. Merr pjesë në tubime të ndryshme brenda e jashtë vendit.

Ka botuar këto vepra:

”Nunosje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1980

“Dritëzat e mashtrimit”, poezi, ”Rilindja”, Prishtinë, 1989

“Magjia e humorit të zi”, poezi, “Buzuku”, Prishtinë, 1995

“Diamantet e dashurisë”, poezi “Buzuku”, Prishtinë, 2015

“Zbulimet mjekësore”, botim për metodat e reja dhe të sofistikuara shkencore për shërimin e shumë sëmundjeve nga vetë autori, 2018

Kredoja e tij jetësore është liria njerëzore dhe liria shpirtërore, mirëqenia dhe shëndeti i njerëzve, si dhe lumturia e të gjithë njerëzve në gjithë rruzullin e tokësor.
Pos gjuhës amtare, njeh dhe shkruan gjuhët kroate, gjermane, sllovene dhe angleze.
Jeton dhe vepron Junik.

AMANETI I BABAIT

(Babit tim, Deli Tahir Hebibit, lavdi e nderim,
që më la Atmëmëdheun, nderin dhe besën trashëgim!)

të thanë mos e kërko lirinë me duar të bardha paqeje
n’kratere zjarri do t’i djegësh shenjat e gishtave
duart e pastra e pa njolla mëkatesh: digjen të parat

atë mëngjes atë krismë pushke për Lindjen time
jehonë n’lugje e këngë maje shkrepash alpesh shqiptare
e ndien shtatë Zanat emërmira kreshnikët e lashtë

rrezet e diellit përqafove: si ballin e fëmijëve të dashur
më the: tani Ti je udhërrëfyesi i shtetit – lirisë së shenjtë
n’dritaret e kullave Junikase reflekto ditë e natë

ligjëroje drejt e trimërisht: agim i bekuar perëndish
si pëllumb paqeje n’qiellin atdhetar fluturove
kujtimet librore i kam nga Ti dhuratë hyjnore

a dëgjove kur zëri im si këngë burri e ogur i mirë
ai vaji i denjë fëmijror: me stoiken shpirtbujari gjakfisnore
t’përqafuan n’etër me plot ngrohtësi e dashuri birnore

n’balada përjetsisht: do të mbetesh shkëmb i kallur stuhish
n’bebëza drite i praruar me diamante t’bekuara kohe
Hero me flatra shqiponje: n’tokën atdhetare o Babashenjtë

Ti je heroi im më i madh legjendë si Kështjella krujane
si këngët epike të famshme t’paharruarat shqiptare
zanafillë e dritëditurisë: amanetit Tënd i qofsha fal

Jam gjeni yt pellgazo-ilir-shqiptar: Zot dhe krenar