DITURI NEZIRAJ

Lindi në Kaçanik më 19.09.1987. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa fakultetin dhe studimet posdiplomike në Fakultetin e Arteve, Dega e Artit Dramatik, Drejtimi – Dramaturgji në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.
Me skenën dhe teatrin filloi të merrej qysh në fëmijëri. Ka luajtur në disa shfaqje për fëmijë dhe është autore e disa shfaqjeve. Madje, ka shkruar edhe disa skenarë të filmave.

Dramat e inskenuara:

ERA, BEBUSHI DHE XHEMI KACADREMI
UNË ISHA GABIMI
SONTE NUK JAM VETËM (dy herë)
KASOLLJA PREJ KASHTE
TEO, QENI I RRUGËS
ELI

Disa drama të lexuara në skenë: 

“Revolta e presjes”
“Jam unë ajo”
“Unë jam dhe unë do të…”

Ka botuar këto vepra:

UNË, TI DHE BEBUSHI
JAM UNË AJO
DRAMA – trilogji

Disa skenarë të realizuar në filma:

KTHIMI, DITA E PENSIONIMIT
RROTA
dhe cikli me tre dokumentarë NDALE DORËN.

Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Dramë për fëmijë
ELI
Personazhet
Eli – një balerinë elefant, mbipeshë.
Balerina Rina – një balerinë e vërtetë duket si një
kukull porcelani.
(Ngjarja ndodh në një dhomë të vogël, ku ushqehen
dhe rriten ëndrra të mëdha.)
Skena e parë
Natë. Skena është një dhomë e vogël gjumi. Një shtrat
në një kënd të skenës. Tavolina dhe karrigia në skajin
tjetër. Nga dritarja e hapur shihet hëna e plotë. Në
një pjesë tjetër, është një pasqyrë gjigante. Në skajin
tjetër, një kalendar shumë i madh. Në skenë një elefant
balerinë, me pizhame nate. Ajo është një fëmijë rreth
moshës 10-12 vjeç dhe quhet Eli. Është ulur në tavoline
dhe shkruan në ditarin e saj. Në sfond dëgjohet
zhurma e karkalecave dhe e bretkosave. Përderisa ajo
shkruan, dëgjohet një zë nga lartë.
Zëri i Elit
I dashuri ditar, më fal që nuk të kam rrëfyer për një
kohë të gjatë! Kam qenë aq e dëshpëruar!
Nuk e di as nga t’ia filloj! Si duket unë s’do të jem kurrë
një balerinë. Nuk më zgjodhën as kësaj radhe që
të marrë pjesë në konkursin për balerinë. Kush do të
klasifikohet në këtë konkurs, do të futet në trupën
e baletit të Qytetit të Mjellmave. Me gjithë angazhimin
tim maksimal qe një kohë të gjatë dhe ëndrrës
sime të madhe, që nga fëmijëria, Gjirafa Rafa dhe
Zebra Z, do të jenë përfaqësuese të shkollës sonë.
Ndërsa, unë…kam disa kilogramë më tepër apo
shumë më tepër, për të qenë një balerinë. Mësuesja
më tha, që duhet më shumë kohë për mua, ndërsa
gara është javën tjetër.
Më shikoi me keqardhje, si një thes mielli.
Madje as prindërit e mi nuk u befasuan që nuk u
përzgjodha, do të thotë unë thjesht ëndërroj diçka
që nuk është për mua.
Disa qeshnin me ironi, disa më shikonin me keqardhje
teksa dola nga salla e baletit.
Të gjithë e dinin që nuk isha e duhura, ende pa e
ditur përgjigjen përfundimtare.
Lepurusha Gri, Derrkucja Rozë… Dhelpra Bishtgjatë…
(Eli ngrihet në këmbë dhe fillon të flasë me zëra të
ndryshëm.).
Eli
Bullafiqe, Bullafiqe… Trashaluqe…
(Ajo ulet e nevrikosur. Fillon të qajë. Pas pak lëshon një
kuti me muzikë, në të cilën vallëzon një balerinë.).
Eli
Nuk kam ngrënë as edhe një kafshatë bukë… ka
një javë. Jam aq e uritur, saqë nuk po më mbajnë as
këmbët.
(Ajo ngrihet dhe shkon te pasqyra. Nxjerr nga një sirtar
fustanin dhe këpucët e baletit. Pastaj ngrihet, shikon
veten dhe prek barkun e madh të saj. Muzika e kutisë
vazhdon në sfond.).
Eli
Dua të dukem një balerinë e vërtetë. Por ky bark
dhe këto këmbë…
(Ajo merr një shall dhe e mbështjell barkun. Nuk merr
frymë për pak çaste. Pastaj e lëshon frymën.).
Eli
Jo, jo… ide e tmerrshme. Nuk marr dot as frymë.
(Pastaj me nervozë, hedh fustanin dhe këpucët në
tokë. Eli ulet prapë në tavolinë dhe fillon të qajë. Ajo pa
dashje e godet me krahë kutinë me balerinë dhe kutia
bie në tokë. Pas pak hyn një balerinë kukull. Është
Balerina Rina e kutisë. Eli nuk e sheh. Ajo vazhdon të
shikojë veten. Balerina Rina i afrohet afër dhe e prek në
supe ngadalë. Eli pa e shikuar fare flet.).
Eli
Lërmë të qetë, nënë!
Balerina Rina
Mos qaj, vogëlushe!
(Eli ngrihet e frikësuar.).
Eli
Kush je ti?
Balerina Rina
Mos u frikëso vogëlushe!
Një balerinë e vërtetë nuk rrëzohet asnjëherë nga
gjërat e vogla, sepse ajo ka ëndrra të mëdha…
Eli
Si hyre në dhomën time?
Balerina Rina
Eli, ti je një vajzë e mrekullueshme… një punëtore
e zellshme…
Eli
Prej nga ke ardhur? Po ëndërroj?
Ti nuk je e vërtetë? Kush ta tha emrin tim?
Balerina Rina
Mos ke frikë nga unë! Kam ardhur vetëm për ty, nga
Bota e Ëndrrave, Eli!
Ne i vëzhgojmë fëmijët dhe u ndihmojmë për t’i
ndjekur ëndrrat e tyre.
Metafora / nr. 2 / dhjetor 2022 25
Ti je e preferuara ime.
Unë quhem Balerina Rina.
(Balerina Rina ia zgjat dorën. Eli largohet e frikësuar.).
Eli
Jo, jo, jo… ti nuk je e vërtetë… koka ime është bërë
lëmsh këto ditë… e di! Madje s’kam ngrënë as një
kafshatë…, ndoshta edhe jam sëmurë….
Nuk e di! Kush e di! Ndoshta!
Balerina Rina
Ma jep dorën, Eli!
Eli
Si mund të jem e sigurt, që ti nuk do të më bësh
keq?
Balerina Rina
Eli, unë kam ardhur të të ndihmoj.
Eli
Si mund të më ndihmosh? Unë jam një bullafiqe,
me një trup si një thes patate… nuk ngjaj aspak me
një balerinë… unë kam veç një ëndërr, një ëndërr
koti…
Balerina Rina
Ëndrrat janë shumë të rëndësishme për secilin nga
ne. Ato e bëjnë jetën më të bukur.
Eli
Mos jam duke u çmendur?
…jam duke parë një kukull porcelani, e cila flet…
një balerinë… një balerinë….
(Eli shkon te tavolina dhe kërkon kutinë me balerinë.).
Eli
Ti je Balerina Rina nga kutia me muzikë?
Balerina Rina
Unë jam ajo, Rina.
Eli
Si është e mundur?
Balerina Rina
Unë jam ëndrra jote, Eli dhe ti je e preferuara ime!
Kam vëzhguar çdo ditë përpjekjen tënde, dashurinë
për baletin dhe ëndrrën tënde që të bëhesh një
balerinë.
Të kam ndjekur, Eli, ashtu siç ti duhet t’i ndjekësh
ëndrrat e tua.
Eli
Por… ëndrra ime, si duket, nuk është ajo e duhura.
Unë nuk kam talent për balet.
Balerina Rina
Pse?
Eli
Unë… unë…
(Eli shkon te pasqyra dhe shikon veten.).
Eli
Ndoshta ata kanë të drejtë!
Balerina Rina
Kush janë ata? Për çfarë kanë të drejtë?
Eli
Shokët, shoqet… mësuesja e baletit, madje edhe
prindërit e mi…
Një balerinë përpos elasticitetit, ka këmbë të holla,
trup të dobët dhe të drejtë…
Ashtu sikur ti.
Balerina Rina
Në radhë të parë, një balerinë e vërtetë ka pasionin
dhe vullnetin për të punuar.
Madje elasticiteti dhe gjërat e tjera vijnë me kohën.
Ti i ke të gjitha, Eli.
Eli
Unë nuk kam asgjë. Jam një elefante e trashë…
është e vështirë ta pranojë, por… Këmbët e mia
janë aq gjigante. Nuk ngjasojnë me këmbët e asnjë
balerine. Më duhet të heq dorë nga ky budallallëk.
Unë nuk jam një balerinë, unë jam një thes gjigant
mielli, që nuk shërbej për asgjë…
(Eli e nevrikosur shkon në një cep të skenës.).
Balerina Rina
Eli, të lutem! Ti mund të jesh me një peshë tru-pore
ndoshta pak më shumë se sa që duhet, por…
Eli
Jo, pak më shumë… por shumë më shumë.
Balerina Rina
S’ka rëndësi pak më shumë, apo shumë më shumë…
por…
Eli
Ka rëndësi, si nuk ka rëndësi?
Në qoftë se do të isha si një sorkadhe, sigurisht që
do të isha duke u përgatitur për konkursin që do të
mbahet pas një jave. Të jesh një fëmijë mbipeshë,
nuk është e lehtë, zonja Balerinë.
Balerina Rina
E di!
Eli
Jo, ti nuk e di! Supozon që e di, por jo… është diçka
tjetër… ”shikimet e keqardhjes”, në një anë dhe
“shikimet e përbuzjes”, në anën tjetër…
dhe ti në mes… pastaj fillojnë fjalët si shigjeta…
Sa e trashë! Bullafiqe! Trashaluqe! E shkreta, ha më
pak! Godite se nuk i dhemb! Tul… tul… tul…
Kjo fotografi më ndjek gjatë gjithë kohës. Kudo.
(Eli fillon të qajë.).
Balerina Rina
Mjaft, të lutem, Eli!
Mos qaj!
Lotët nuk janë zgjidhje për asgjë.
Për botën mund të mos jesh asnjëherë mjaftueshëm.
Pastaj, është e pamundur, që të jesh e pëlqyer nga
të gjithë. Më e rëndësishmja është që…
(Rina i afrohet Elit dhe ia vë dorën te zemra.).
Balerina Rina
Ta duash veten me gjithë zemër, duhet ta pranosh
veten ashtu siç je. Secili nga ne ka mangësitë e
veta… edhe kjo na dallon nga njëri- tjetri, edhe
ndoshta na bën më të veçantë.
Ti mund të jesh një balerinë, vetëm nëse ti do vërtet.
26 Metafora / nr. 2 / dhjetor 2022
Eli
Nuk mundem.
Balerina Rina
Mundesh. Ti duhet t’i tregosh botës që një balerinë
mund të jetë edhe mbipeshë… Tregoju të gjithë
atyre që nuk besojnë në ty, që ti je edhe më e
veçantë, një balerinë më ndryshe…
Bëje! Ti je e vetmja që mund ta bësh këtë.
Unë kam besim në ty! Nuk kam udhëtuar aq gjatë,
pa një arsye të fort.
Eli
Si mund ta bëjë këtë? Për të ardhur deri te skena, një
balerine i duhet së paku 16000 orë ushtrime.
Balerina Rina
Sipas kalkulatorit tim, ti i ke 32210 orë ushtrime, pa
ndërprerje. Do të thotë, numri i orëve të tua është i
dyfishuar.
Eli
Edhe nëse kalkulimet e tua janë të vërteta, prapë
nuk ka rëndësi… unë nuk jam pjesë e konkursit…
(Rina nxjerr nga xhepi një letër të gjatë, në të cilën janë
kalkulimet me data dhe vite.).
Balerina Rina
Shiko, e dashur…
Eli
Çka është kjo?
Balerina Rina
Lista e orëve që ti ke shpenzuar për ushtrime… me
ditë, datë dhe vit…
Eli
E mahnitshme! Si ke arritur ti regjistrosh të gjitha
këto?
Balerina Rina
Të tregova që në fillim… në Botën e Ëndrrave, secili
nga ne ka një personazh të cilin e ndjekim vazhdimisht.
Në fillim i masim dëshirën me dëshirëmetër.
Pastaj, nëse vlera e saj është e lartë, vazhdojmë ushqyerjen
me vitaminën Ë.
Kjo vitaminë, dëshirën e bënë ëndërr, motiv…
Ëndrrën e mbajmë gjallë, duke i dhënë vullnet dhe
kurajë.
Eli
Çka nëse, personazhi yt heq dorë nga ëndrra e tij?
Balerina Rina
Nuk do të duhej të ndodhte. Ne e bëjmë të pamundurën
që ëndrra të mos shuhet.
Eli
Por, nëse ndodh?
Balerina Rina
Atëherë, bashkë me ëndrrën zhdukemi edhe ne.
Ky është ligji i botës sonë.
Eli
Siç e kuptova…
Balerina Rina
Nëse ti heq dorë nga ëndrra për të qenë një balerinë,
unë do të zhdukem përgjithmonë bashkë me
ëndrrën tënde.
Eli
Kjo nuk është e drejtë!
Balerina Rina
Ndoshta, por nuk do të kishte kuptim as të ekzistoja
më gjatë.
Eli
Por çka nëse do të kem dëshirën, por jo dhe talentin?
Balerina Rina
Për të qenë një balerinë, nëntëdhjetë për qind duhet
puna dhe përkushtimi dhe dhjetë për qind talenti.
Gjithçka, arrihet me punë dhe dashuri për baletin.
Eli
Më ke hutuar aq shumë… saqë kam frikë se po
ëndërroj… që kjo nuk është e vërtetë.
Balerina Rina
Ke të drejtë, e dashur! Unë kam thyer të gjitha
rregullat dhe ligjet e botës sime, për ty. Ne nuk na
lejohet të vijmë këtu. Puna jonë duhet të bëhet nga
brenda. Unë kam thyer të gjitha rregullat dhe ligjet
e botës sime dhe këtë do ta paguaj shtrenjtë, pasi të
kthehem… por s’ka rëndësi… mëkat më i madh do
të ishte… nëse ti do të heqësh dorë nga dashuria aq
e madhe për baletin. Ti je një balerinë e madhe, Eli!
(Eli qesh me ironi.).
Eli
Po vërtet e madhe, 100-kilogramëshe.
(Qeshin të dyja.).
Balerina Rina
E madhe, jo nga pamja fizike, por nga ajo shpirtërore…
Andaj, është e dhimbshme që një shpirt luftarak si
ti… ë ndalë luftën pa bërë paqe me veten. Ti po heq
dorë, jo pse ti nuk do, por nga frika që të tjerët të
shohin ndryshe.
Eli
Ti ke të drejtë, por…
Balerina Rina
Nuk ka, por… ti je ajo që vendos se çfarë ëndrre
duhet të ndjekësh…
Eli
Në konkurs nuk mund të jem pjesëmarrëse.
Balerina Rina
Mund të jesh jashtë konkursit, s’ka rëndësi trofeu…
Ti mund të jesh një fituese pa trofe.
Duhet t’u tregosh të gjithëve kush je ti, e dashur!
Shokët, shoqet, mësuesja, madje edhe prindërit e
tu mund të të kenë gjykuar gabimisht. Hajde jepi,
Eli! Është mundësia jote, që ata të njohin Elin si një
balerinë të vërtetë.