Diella Çitaku

DIELLA ÇITAKU

Lindi më 13.5.1979, në Prishtinë. Ka mbaruar studimet në komunikim masiv – drejtimi gazetari. Një kohë ka punuar si gazetare në gazetën “Rilindja”, pastaj në gazetën e përditshme ”Dita” dhe në “24 orë”. Po ashtu disa vite ka punuar si përkthyese në Ministrinë e Administratës Publike. Poezi ka filluar të shkruajë që nga shkolla fillore. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete letrare. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtare e klubit letrar “Naim Frashëri” të Fushë-Kosovës. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete letrare në Kosovë dhe në Shqipëri. Disa herë është nderuar me çmime letrare. Në vitin 1994 është vlerësuar me çmimin e parë për poezi në aktivitetin “Ditët e rinisë” me poezinë “Kati i shtatë”. Në vitin 2013 në konkursin letrar “Dita poetike durrësake” u nderua me çmimin e tretë për poezinë ”Rrugës sime”. Në vitin 2014, në aktivitetin letrar të qendrës kombëtare të poetëve ”Gjakova”, në konkursin e poezisë “Në rrugëtim me Yllka Domin, poete dhe dëshmore” është vlerësuar me çmimin e tretë për poezinë “Shtegu i fshehur”. Në aktivitetin letrar gjithëkombëtar ”Malli poetik i Kosovës”, organizuar nga shoqata e shkrimtarëve “Naim Frashëri” e Fushë-Kosovës, në vitin 2015 u vlerësua me çmimin e tretë për poezinë “Eklips i vetes”. Pastaj në vitin 2016 në orën letrare të mbajtur në Lipjan, të organizuar nga KL ”Fazli Grajçevci” i po këtij qyteti, u shpërblye me çmimin e parë. Në konkursin letrar organizuar në Tiranë, “Fjala poetike 2017”, poezia e saj u zgjodh për antologji në mesin e 100 poezive nga 1000 poezitë konkurruese. Po ashtu në maj të po atij viti në orën letrare “Në rrugëtim me Yllka Domin, poete dhe dëshmore” organizuar nga qendra kombëtare e poetëve “Gjakova”, poezia e saj e titulluar “Galaksi shpirti” është vlerësuar me çmimin e parë. Në festivalin ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik” në vitin e dhjetë jubilar është nderuar me mirënjohje. Në vitin 2017, në festivalin e poezisë “Guri i plakës”, organizuar nga artklubi “Rifat Kukaj” në Drenas, është vlerësuar me çmimin e dytë me poezinë “Shqiponjë”. Në vitin 2019 në manifestimin letrar-poetik mbarëkombëtar në konkursin letrar “Ramiz Kelmendi” të “Flakës së Janarit – 2019” poezia e saj ka marrë çmimin e tretë.
Deri tash i ka botuar katër përmbledhje me poezi: “Mjegulla ka sy” (2017), “Brenga e uritur” (2017), “Qiellnaja ime” (2022) dhe “Shikimi i zogjve” (2022).

QIELLNAJA IME

Qiellnajës sime

Kaltërsia

Ma mbulon dhimbjen në shpirt

Teksa zgjas duart

Ta shuaj urinë

Me frutat e perëndisë.

Qiellnajës sime

Shndrit ylli i jetës

Teksa degëzohen

Nërgjegjet e kohës

Mpleksur me gjirin

E natyrës.

Qiellnajës sime unë shoh lule lart

Teksa luteshin për dashurinë

Qiellnajës së zjarrtë.