Dibran Fylli

Dibran Fylli, regjisor, ka lindur në Açarevë të Skënderajt, më 29.9.1956. Ka mbaruar akademinë për teatër, radio, film dhe televizion (AGRFT) në Lubjanë, drejtimi regji. Është anëtar i shoqatës “Migjeni” dhe i revistës “Alternativa” në Lubjanë. Ishte pjesëtar i radhëve të para të UÇK-së dhe udhëheqës i njësitit të parë “Shkoza2” në Açarevë; pjesëmarrës i shumë betejave, i plagosur në betejën e Llapushnikut më 8 maj 1998; themelues i trupës artistike ushtarake “Hamzë Jashari” të UÇK-së; ideator, skenarist e organizator i manifestimit përkujtimor “Ditët e përndritjës”, tash “Epopeja e UÇK-së” (5, 6 dhe 7 mars – e njohur si “Nata e zjarreve”); ishte shef i TAU “Hamëz Jashari” të UÇK-së dhe TMK-së (1998-2002), pastaj ideator, skenarist e regjisor i festivalit folklorik “I këndojmë lirisë” – kushtuar figurës madhore të UÇK-së, Mujë Krasniqi – KAPUÇI (Klinë, 6, 7 dhe 8 qershor); autor dhe skenarist i programit artistik “Ai është i gjallë”, autor i shumë skenarëve dhe  organizator i dhjetëra akademive përkujtimore e solemne. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i klubit të shkrimtarëve “Vorea Ujko” të Klinës.
Ishte arrestuar nga gjykata e UNMIK-ut dhe ishte privuar nga liria për katër vjet – 1365 ditë ( i liruar i pafajshëm).

 

       Vepra të  botuara

 

  1. Përmbledhje poezish “Të fala nga Stambolli”, Tiranë, 1998
  2. Argumente “Drenica dikur dhe sot”, Tiranë, 1998
  3. Përmbledhje poezish “Ai është i gjallë”, “Rilindja”, Prishtinë, 2000
  4. Edhe kjo është pjesë e jetës”, roman, KSH “Vorea Ujko”, Klinë, 2006
  5. Ditari i Tafrruk Tafrrukuci të Tafrrukajve”, komedi-humor, KSH “Vorea Ujko”, Klinë, 2006
  6. Sharkia e Drenicës”, KSH “Vorea Ujko”, Klinë, 2007
  7. 1365 ditët e jolirisë”, poezi, LSHK, 2012
  8. Prekazi brezni trimash”, kronologji në 7 gjuhë, LSHK, 2013
  9. Edhe kjo është pjesë e jetës”, roman (ribotim), LSHK, 2013
  10. Hasan Prishtina, stërnip i Avdullah Veliqit”, monografi, “PrishtinaPress”, 2013
  11. Tahir Meha – pesë breza pushkë lirie”, kronologji (shqip dhe anglisht), “Meshari”, 2014
  12. Sharkia e Drenicës” (ribotim) LSHK, Prishtinë, 2015
  13. Lulëkuqet e lirisë” – Çdo shesh një përmendore, antologji poetike , “Meshari”, 2015
  14. Fryma e Lirisë”, poezi, “Meshari”, Prishtinë, 2016

15. “Hasan Prishtina, stërnip i Avdullah Veliqit”, monografi (botimi i dytë), 2018

Çmime letrare

 Çmimi letrar “Metafora I”, Festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”, 2012.
Çmimi “Shën Jeronimi Ilir”, Vendi i parë, takimet “Dom Mikeli 2012” , Stubëll, Viti.
Çmimi i Diasporës, poezia Vendi i parë, në Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, Besianë, 2013.
Vendi i parë – Krijimtari letrare, konkurs artistik për Ditën e Dëshmorëve, Malishevë, 2014.
Vendi i dytë – manifestimi letrar “Malli poetik i Kosovës”, 2014.

Fotografi dhe xhirime ekskluzive gjatë luftës 1997-1999

– mbi 200 fotografi,
– mbi 400 minuta xhirime filmike.

Filma realizuar

Deri kur…?” – film artistik në dy pjesë (1996)
Kalanica e Kadiut“, komedi (1996)
Qyteti i zi”, film i shkurtër (2014). Pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Ballkanik në Pogradec, në festivalin e filmit “Hyjnesha në fron”, në Javën e filmit shqiptar në Nju-Jork, SHBA.

Role të realizuara

Filmat “Rrënjët” – Hazir Dema, “Deri kur?” – Demë Sinani, komedi “Kalanica e Kadiut” – Tafrruk Tafrrukuci, filmi “Vdekja në sy të motrës” – Babai, filmi “Azem Galica” – Bejtë Galica, filmi artistik i metrazhit  të gjatë “Azemi” – polici serb, filmi i shkurtër “Qyteti i zi” – polici serb (pjesëmarrës në tri festivale), filmi artistik “Balkan Scam3” – i burgosuri, filmi artistik “Istanbul Conection”, mjeku luftëtar, filmi “Koha e hakmarrjes” –  Babai, seria televizive “Vendlindja ime”, 2018.

37 filma dokumentarë dhe dy monologë

“Gjaku i Kosovës“, dokumentar për luftën e UÇK-së dhe shërimin e të plagosurve (filmi është punuar gjatë luftës në TV Klan dhe është edituar ne TVSH, 1998).
“Organizimi i shëndetësisë gjatë luftës“, dokumentar i promovuar ne simpoziumin ndërkombëtar   (Prishtinë, 29.9.1999).
Film dokumentar kushtuar jetës dhe veprës heroike të dëshmorit Skënder Çeku (2000).
Film dokumentar kushtuar heronjve Nebih e Tahir Meha (kooproduksion me RTK-në, 2001).
Dokumentari “Lindja dhe rrita e Batalionit të 40-të të shëndetësisë të TMK-së“ (2001).
Dokumentari “Thyerja e kufirit, ideal i bashkimit kombëtar“, kushtuar Betejës së Koshares (2001).
Dokumentari “Akademia e Mbrojtjes, Tempull i dijes ushtarake” (22 prill 2002).
Filmi dokumentar “Vepër, jo fjalë“ (2008).
Filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprës heroike të dëshmorit Muhedin Morina (2008).
Filmi dokumentar “Fryma e lirisë zbut dhembjen për liri“, kushtuar dëshmorit Faruk Elezi (2008).
Filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së dëshmorit të Brigadës 112 “Arben Haliti” (2008).
Film dokumentar “Jeta dhe lufta për liri“, kushtuar dëshmorit Avni Zhabota (2008).
Dokumentari “Korbi, pjesë e betejave të përgjakshme për shthurjen e Jugosllavisë“ – Mirush Dakaj (2008).
Monolog kushtuar luftës çlirimtare të ZO-së të Pashtrikut (2008).
Filmi dokumentar poetik “Krushqëzimi“, kushtuar 24 dëshmorëve të Jezercit (2008).
Filmi dokumentar informativ “Libri në shtegtim“ për veprën e krijuesit Isak Guta (2008).
Monologu “Amaneti i kullës së lashtë” (2009).
Filmi dokumentar “Gjaku i lirisë“, kushtuar jetës dhe veprës heroike të dëshmorit Fehmi Rama (2009).
Filmi dokumentar “Krisma e këngë”, për dëshmorin Milaim Krasniqi (2010).
Dokumentari “FASHIKO” (për sportin e karatesë në Kosovë), 2011.
Emisione ekskluzive dokumentare në 12 vazhdime “Luftë për jetën”, RTK (2010-2011).
Dokumentari “Mbijetesa” – pjesëmarrës në “Javën e filmit” në Nju-Jork (2012).
Dokumentari “Krimi” – pjesëmarrës në “Javën e filmit” në Nju-Jork (2012).
Dokumentari “Ai jeton në shpirtin e popullit”, kushtuar Hasan Prishtinës (2013).
Dokumentari “Shkencëtarja e gramatikës historike”, kushtuar Prof. dr. Hava Qyqalla (2017).

EDHE KJO ËSHTË PJESË E JETËS

Ishte duke ecur me hapa të mëdhenj, Ai ecte me të shpejtë, pothuajse vraponte nëpër një rrugicë të ngushtë e të përbaltur të qytetit. Pas tij vinte një motoçikletë me dy policë në uniformë dhe të armatosur mirë. Motoçikleta sa vinte e iu afrohej. Ata ishin në përcjellje të tij, s’e dinin që po e përcillnin njeriun që po e kërkonin. Sa vinte e iu afrohej motoçikleta, Ai i shpejtonte hapat e mëdhenj. Gati sa s’kishte filluar të vraponte para tyre. Në kthesën e një rrugice të ngushtë e të përbaltur, papritmas takoi vajzën që e kishte njohur ditë më parë në burgun e qytetit. Burg, ky, famëkeq, prej të cilit kishte ikur dhe vetë ai për ta shpëtuar kokën.

– Çao, Ilir – iu drejtua vajza flokëverdhë dhe pa u hamendur e ftoi që ta mbështeste kokën në kraharorin e saj për t’iu shmangur dyshimit të patrullës tjetër që po vinte pas saj. Patrullat bënin kontroll të rreptë nëpër tërë qytetin. Ata patrullonin dhe ishin në kërkim të të ikurve nga burgu i qytetit. Të dy mbetën për pak sekonda me shikim të drejtuar kah njëri-tjetri dhe papritmas koka e tij u gjend e mbështetur në kraharorin e saj që akoma po i vinte era grila të ndryshkura. Në atë çast ndodhi një e papritur, ndodhi ajo që ata më së paku e kishin menduar. Aty, në atë vend të ngushtë e përplot me baltë, sikur shkrepi rrufeja dhe u hap qielli, sikur filluan të bien pikat e para të shiut në kohën me diell, sikur filluan të flisnin edhe lulet e bozhures në gjuhën e tyre, pa ndonjë tekst të veçantë. Buzët e saj pa bërë zë, u gjenden të ngjitura për të tijat dhe gjuhët e tyre të thara tani ndodheshin të lidhura diku në brendi të gojëve të terura nga etja dhe uria. Qe sa kohë dergjeshin nëpër burgjet me mure të larta e të ndërtuara për diskriminimet e shqiptarëve. Motoçikletat me policët e armatosur, të shfrenuar e të prishur nga pamja e tyre prej agresori, u gjendën përballë njëri tjetrit mu para tyre ne kthesën e rrugicës së ngushtë. Me shpejtësi ndaluan, dhe, po sa u bënë gati të zbritnin, me armë te drejtuara nga ta, panë dy të rijnë duke u puthur gojë me gojë. Nga zemërimi dhe habia, por dhe nga shkalla e kulturës së tyre të ulët, shkrepën nga goja fjali fyese, ashtu siç i kishin marrë udhëzimet nga eprorët e tyre shpirtzinj, që të shajnë, fyejnë, rrahin, torturojnë e të vrasin shqiptarë.

– Phi nënën e nënës !?  Këta, duke mos pasur guxim të flasin as një të vetmen fjalë e të mos diktoheshin nga zëri i tyre i shterur prej torturimeve që kishin përjetuar nga shpirtzinjtë, kujtim u mbeti vetëm kënaqësia nga afrimi intim. Të dy, ngadalë e duke hedhur shikimin anash, u ndanë nga njëri-tjetri, ashtu duke u mbajtur për dore pa bërë zë dhe, me frikën nga motoçikletat që ishin në përcjellje të tyre, u ndanë nga përqafimi i ngrohtë. Iliri vriste mendjen dhe s’mund të nxirrte përfundimin prej nga Ajo e dinte emrin e tij dhe, sot asgjë tjetër si kujtohet në ditët e pleqërisë, përpos fjalëve të ëmbla të saj që mezi i dolën nga goja e terur dhe dridhja e zërit që atij çasti i mbulonte të dy një erë grilë e ndryshkur,

”Mirë u pafshim në ditë më të mira. Ilir, unë jam Rida”.

2

Me kalimin e kohës në periudhën me plot vuajtje e sakrifica, të shtypur e të torturuar me shekuj, pikërisht atëherë kur lindi dielli mbi qiellin e Drenicës dhe u vulos fati i Atdheut, iu kthye identiteti kombit, Iliri prapë takohet me Ridën në vendin e shqiponjave ku e ruanin çerdhen zogjtë e shqipes… Tani takimi ishte në rrethana krejt ndryshe. Ani pse ai vend aso kohe quhej ”vend i okupuar”, por emrin e kishte Drenicë. Asaj tani në ditët e pleqërisë s’i kujtohet gjë tjetër, pos fjalëve të tij që me zemërim i kishte thënë dikur, kur ndodheshin të ulur afër një kaçube rrëzë kufirit në bjeshkët e lashta të Pashtrikut të mbuluara me dëborë,

”…Rida, edhe pse të dua, ne nuk mund të martohemi. Unë jam djalë katundi, i varfër… E ti !?”

3

Lufta tanimë kishte marrë hovin në drejtimin e pa kthim prapa, deri në çlirimin e atdheut. Çlirimtarët po mbaheshin të pathyeshëm nëpër pozicionet e tyre duke mos u sprapsur për asnjë moment dhe duke mos njohur humbje as për një betejë të vetme. Armiku dita ditës po humbiste moralin edhe besimin tek vetja. Ai kishte filluar ta shkruajë ditarin që nga dita që kishte ikur nga burgu i qytetit. Gjatë krejt atyre ditëve të vështira e plot sakrifica, mund të thuhet së kishte edhe qaste të lumtura për faktin së lufta  po bëhej për çlirim. Atyre ditëve, nëpër vijat frontale nuk mungonte as humori. Ai sot duke shfletuar ditarin e vet, me respekt e kujton shokun e pushkës dhe humorin e pashoq të Picimulit. Ai edhe sot qeshet me shprehjet komike të shokut të tij që dikur i pate thënë diku afër lugut te tuneleve gjatë luftës.

“…Mos u ngut bre burrë se bilahi na plase ! A po tutesh se po vonohesh a ?!…”

4

Nëse me vëmendje lexohet ditari i tij, apo edhe nëse do të lexohej ndonjë pjesë e këtij romani, atëherë do të hasim në shumë gjëra interesante dhe reale që s’kanë ndodhur fort moti dhe jo në ndonjë vend të largët. Ndryshe mund të thuhet , lufta çlirimtare ishte luftë e drejtë dhe këtë luftën edhe më të fortë e bënte morali i luftëtarëve të lirisë. Këtu një thelb vërehet qartë: se shqiptaret i kanë vetëm dy gëzime, Lindjen dhe Rënien në luftë. Edhe Ajo, kur filloi t’i kujtonte ditët e kaluara të jetës së saj, momentet e vështira që i ka kaluar populli i saj, e sidomos kur kujton vijat frontale në luftë, nuk mbetet pa lot. Aty e gjen gëzimin e zemërimin qeshjet dhe hidhërimet … Mbi të gjitha Asaj si largohej as sot nga mendja faqja e par e ditarit të tij ku shkruante,

“…Rroftë lufta e drejt e UÇK-së – Ilir Kosova”,  dhe kaptina e ditarit të gjakosur me gjakun e Tij…

5

Pasi që lufta ishte intensifikuar, kishte marrë hovin e pandashëm drejt fitores, kudo zhvilloheshin beteja , pothuajse në çdo cep të atdheut. Aty ku i thonë çerdhe shqiponjash, aty ishin çlirimtarët, aty kriste kënga e pushka, luftohej për liri. Diku, në vijën e parë të frontit, bie një granatë afër istikamit ku ndodhej Ai. Granata plagosi disa luftëtarë e në mesin e tyre ishte edhe Ai, i cili plagoset rëndë. Pasi që Ajo tani më ishte me ekipin mjekësor për ndihmë të plagosurve, urdhërohet që, përpos ndihmës së parë në vend, të udhëtojë në përcjelljen e të plagosurve për në spitalin ushtarak të Tiranës. Rrugë, kjo e gjatë, e vështirë dhe plot sakrifica e mundime, por që duhej bërë me përgjegjësi, kujdes e ndershmëri.  Edhe sot, kur Ai e shfleton ditarin e vet, me mendje kalon diku në malet e Pashtrikut duke i kujtuar fjalët e saj të ëmbla e zërin e përzier me vaj bilbili kur i thoshte Atij,

“…Ilir, qëndro he trim, se ne të dyve s’mund të na ndajë as vdekja …!”

6

Dhe pas shumë e shumë vuajtjesh që ju do t’i mësoni në brendi të këtij rrëfimi, lufta kishte përfunduar me fitoren e UÇK-së. Ai, qysh në ditët e para të pas luftës, mësoi se ku ndodhet Ajo, bëri zemrën gur dhe vendosi ta vizitojë. Vizita e tij i kishte dy arsye, njëra t’i kërkojë falje Asaj, që kishte ikur nga spitali gjatë kohës së luftës pa u përshëndetur me të dhe tjetra, që sipas traditës, të njoftohej me familjen e saj, e, pse jo, edhe të kërkonte dorën nga prindërit e saj, pa e ditur se Ajo tani më u kishte treguar atyre për dashurinë që ndiente për të si dhe për mundimet që i kishte përjetuar së bashku me të gjatë moshës rinore e deri te sakrifica e fundit gjatë luftës.

Se mungesa e tij në jetën e saj kishte krijuar një bosh që nuk mund t hiqej, do të kuptohet në vazhdimin e romanit, duke e shkruar ashtu siç shkruan në ditarin e tij me modesti, thjesht e me po të njëjtën shprehje. Atij, edhe tani, kur nuk heziton t’i përkujtojë ato ditët për të cilat më së shumti dëshiron të flasë, Atij s’i kujtohet më shumë se fjalët e saj mallëngjyese me zërin e saj të përvuajtur që i fliste pa u lëkundur nga shtrati i saj dhe pa e shikuar  fare në sy,

“Të lutem, të lutem mos, unë s’kam mbetur për ty ! Të lutem Ilir largohu nga unë !”

7

Dhe hyrjen e këtij romani do ta përfundoj me një ndodhi që do të ndodhë ose të paktën mund të ketë ndodhur, sepse po të mos ishte bota e rrumbullakët, zor së do t’i dihej fundi i jetës së mundimshme…

8

Kështu kalonin ditët dhe vitet. Ngadalë vjen edhe pleqëria, siç u erdhi Atij e Asaj. Ata i kalojnë ditët e pleqërisë duke e kujtuar të kaluarën e tyre me hidhërime, gjëra të këqija e të mira, mundime e sakrifica, por edhe ato pak çaste me lumturi e me gëzime. Të paktën, atyre u ka shpëtuar ditari me shënime, që kurrë të mos harrohet një e kaluar kaq e rëndësishme. Djali i tij këto ditë pritet të diplomojë Fakultetin e Arteve të Bukura. Edhe vajza e tij i bën studimet në po të njëjtin fakultet dhe që të dy kanë vendosur, posa ta gjejnë pak kohë të lirë, të fillojnë ta shkruajnë një biografi për prindërit e tyre, pse jo edhe një skenar filmi, i cili më vonë do të kenë mundësi ta realizojnë së bashku, u mor vesh, nëse lejohet nga ta. Kur djali i tij e pyet babin për të gjitha ato përjetime, rrugë të gjata e të mundimshme, të cilat gati duken të pabesueshme Ai, qetë, ngadalë dhe me modesti përgjigjej

“Edhe kjo është pjesë e jetës”…