Diana Markaj

DIANA MARKAJ

Lindi më 3.09.1979 në Milot, Republika e Shqipërisë. Shkollën fillore dhe të mesmen i ka kryer në vendlindje. Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë – Dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës, në vitin 2003.
Ka punuar mësuese e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në „Loyola-Gymnasium“ të Prizrenit dhe në QAKP “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës.
Punon si koordinatore e cilësisë dhe administratore në shkollën fillore „Loyola“ të Prizrenit.
Jeton në Fshaj të Gjakovës.

Ka botuar këto vepra:

Brenga me fytyrë vajze“, poezi, “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2020.
Të gjithë poshtë urës“, dramë, “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2020.

ZGJITHE KËNGËN

Zgjidhe këngën si për dasmë, biri im,
Edhe kur qan, edhe kur qesh s’ka dyshim
Se në këngë do të gjesh një tjetër zgjim
Se nga shpresa, mosbesimi ka ndryshim.

Zgjidhe këngën dhe në luftë, biri im,
le të thotë kush të dojë është gabim.
Pas betejash, ngjyragjaku nuk ka kthim.
Le të thotë kush të mundet se është trim.