Dan Kosumi

Dan Kosumi lindi më 1966, në fshatin Tugjec, komuna e Dardanës. Mësimet e para dhe të mesme i kreu në Dardanë. Rrjedh nga një familje atdhetare. Kosumi u rrit dhe edukua sipas traditës së Malësisë së Gollakut me dashurinë për atdheun, lënë amanet nga të parët e tij. Gjatë kohës sa ishte nxënës në gjimnazin “9 Maji”, sot “Ismail Qemali” në Dardanë, Kosumi bie në sy të pushtuesve serbë për aktivitetin i tij në lëvizjen patriotike, ndaj disa herë është tftuar në Sekretariatin e Punëve të Brendshme. Aty, kohë pas kohe, është mbajtur i mbyllur me ditë të tëra, duke përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. Disa herë u largua dhe u rikthye në shkollë, me argumentin se organizonte lëvizje për t’iu kundërvu pushtetit, derisa në vitin e fundit u përjashtua nga shkolla pa të drejtë kthimi: “Veprimtari armiqësore, si nacionalist e irredentist”, ky ishte motivi i largimit.
Pasi mbaron vitin e fundit në Prishtinë, regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Edhe në këtë kohë, lëvizja e tij bie në sy të sigurimit shtetëror jugosllav dhe për këtë arrestohet dhe burgoset disa herë, ku vuan dënimet prej disa muajve si në Gjilan, Prishtinë dhe Gurrakoc dhe keqtrajtohet rëndë.
Duke parë gjendjen e rëndë ekonomike familjare dhe pamundësinë për të vijuar studimet, mërgon në Zvicër për tre vjet dhe më pas në Austri, ku jeton dhe punon edhe sot. Gjatë kohës së Luftës së Kosovës, si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, me shumë shokë nga të gjitha trevat shqiptare vihet në shërbim të luftës, duke mos kursyer as djersën, as paranë, si bashkorganizator i demonstratave në Vjenë e Linc, ishte zëri i fondit të UÇK-së, “Vendlindja thërret”, ku deri në fund i shërbeu dhe kontribuoi me nder.
Letërsia ka qenë pjesë e pandarë e tij, qysh në bankat e shkollës. Megjithatë punimet asnjëherë nuk iu botuan në fletushkën e shkollës, sepse censurohej nga organet e sigurimit të kohës. Gjatë arrestimeve dhe bastisjeve që i janë bërë shtëpisë së tij, disa herë me radhë i janë marrë shumë materiale e dorëshkrime.
Gjatë gjithë kohës ka qenë dhe është aktiv në përurimin e kulturës, të vlerave dhe të traditës shqiptare në Austri, Gjermani, Zvicër etj., ku përmes shoqatave, klubeve dhe bashkësive shqiptare, suksesshëm është paraqitur me punimet tij para publikut tonë dhe atij të huaj.
Krijimtarinë e tij letrare e ka publikuar në libra, antologji, revista, në rrjetet e ndryshme përmes internetit dhe medieve të tjera elektronike. Është përfaqësuar në revistën letrare-kulturore “Pelegrin”, që e boton Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë, me seli në Athinë të Greqisë, në botimin “Illyricum”,  botim i shoqatës kulturore “Aleksandër Moisiu”, Vjenë.

 Deri tash ka botuar veprat:

 “…dhe vjen një ditë…”, poezi, “Brezi 81”, Prishtinë, 2012

Malli i dashurisë“, poezi, “Ada”, Tiranë, 2016

Është përfaqësuar në antologjinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, të Artistëve dhe të Krijuesve Shqiptarë në Gjermani për nder të 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Është kryetar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, nënkryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë / Botë , anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar nderi dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Austri, anëtar i shoqatës së shkrimtarëve “Naim Frashëri” të Fushë-Kosovës, koordinator për Evropë i Shoqatës Shqiptare të Muhaxhirëve Mbarëkombëtar me seli në Prishtinë.