Brahim Avdyli

Brahim Avdyli ka lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, komuna e Gjakovës. Që në vitet e hershme të rinisë u është përkushtuar dy prirjeve: artit të fjalës dhe lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar.
Merret me shkrime shkencore, gazetare e publicistike krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë etj.).
Katër klasat e para të shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të vështira. I ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje në kushte shumë të liga.
Studimet i ka filluar në fakultetin teknik, dega e arkitekturës, të cilat u detyrua t’i ndërpriste për shkaqe ekonomike e politike, kështu që u detyrua të emigrojë në Zvicër. Më pas ka mbaruar me korrespondencë Fakultetin Filozofik të UP-së, Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe.
Edhe në Zvicër ka qenë i përndjekur. Dy herë ka qenë përjashtuar prej Zvicrës, me vendim federal. Herën e tretë është detyruar të presë në burg apo të dalë ilegal nëpër malet e Zvicrës, deri sa të vinin shkresat e para me shkrim nga kantonet e Republikës së Gjenevës, në Zvicër.
Pas të gjitha vuajtjeve, e pranon Kantoni i St. Gallenit, mirëpo vite me radhë ka mbetur i papunë, si i internuar. Prej vitit 1992-1993 jeton në Wittenbach e Kronbühl, ndërsa prej vitit 1998, ka ndërruar banim dhe ka zbritur në Rapperswil, pa pasur deri më tani kushte që të ndërrojë banesën.
Pas një fatkeqësie, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike – Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka mbaruar. Ka edhe magjistraturën, në vitin 2010. Ka vazhduar edhe studimet e doktoranturës.
Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza e të tjera, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar dhe udhëhequr revistën (mbarë)shqiptare„Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike…

Deri tash ka botuar:

Në hijen e Alpeve”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1983
Buka e kuqe”, poemë, “Atdheu”, Cyrih, 1990
Kur zgjohet Dodona”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1992
Pasqyrë e përgjakur”, poezi, “Marin Barleti”, Tiranë, 1994
Klithje nga fundi i ferrit”, poezi, “Onufri”, Tiranë, 1997
Gjuha e dheut tim”, poezi, “Albin”, Tiranë, 1999
Klithje nga fundi i ferrit”, botim i dytë, “Jeta e re”, Prishtinë, 2000
Baraspesha e humbur”, poezi, “Qëndresa”, Gjakovë, 2003
Vragat e një kohe”, prozë, “Faik Konica”, Prishtinë, 2005
“Lëvozhga e vdekjes”, prozë, “Faik Konica”, Prishtinë, 2007
Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë”, Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008
Zogu i këngës”, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009
“Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj”, politikë e publicistikë, “Brezi `81”, Prishtinë, 2011
“Qielli i paprekur”, poezi, “Brezi `81”, Prishtinë 2012
“Vetëvrasja e një poeti”, dramë e bërë si pas një romani me një titull tjetër, shoqata e intelektualëve “JAKOVA”, Gjakovë, 2013
“Shtegtimi i lirisë”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2014
“Torzo e shpirtit tim / Der Torso meiner Seele”, zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, “Amanda Edit Verlag”, 2015
“Arena e dhembjeve”, poezi, “Meshari”, Prishtinë 2017 etj.

Është prezantuar edhe në leksikone, antologji e botime të ndryshme, kurse është nderuar edhe me çmime letrare. Poezia e tij është përkthyer në gjuhët italiane, gjermane, rumune dhe angleze.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe i Autorëve të Zvicrës (AdS); i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës (LKMSH); i Lidhjes së Poetëve Ndërkombëtarë, galaktika poetike “Atunis” etj.