Bilall Maliqi lindi më 8.4.1969 në fshatin Elezbali, komuna e Preshevës. Ka mbaruar shkollën e grafikës, si dhe disa kurse për gazetari. Shkruan poezi dhe prozë për fëmijë e të rritur, merret edhe me kritikë letrare.
Është përfaqësuar në disa panorama, leksikone dhe antologji të ndryshme.
Është kryetar i shoqatës së shkrimtarëve “Feniks” të Preshevës. Është themelues dhe kryeredaktor i revistës letrare “Qëndresa”, që botohet në Kosovën Lindore.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Bordit drejtues të “Galaktika poetike Atunis” dhe kryetar i “Atunis Lugina”, Preshevë.
Është bashkëpunëtor i revistës letrare për fëmijë dhe të rinj, “Diellori”, bashkëpunëtor dhe redaktor i kulturës në të përjavshmen “Nacional”.
Bashkëpunon edhe me gazeta të ndryshme të Kosovës dhe të Maqedonisë, si: “Epoka e re”, “Zëri”, “Kosova sot”, “Bota sot”, “Fakti ditor”, “Lajm” etj.
Ka botuar vepra të gjinive të ndryshme letrare.
Jeton dhe vepron në Preshevë.

Deri tash ka botuar këto vepra:

Rrugëtimi, poezi, SHB “Perspektiva”, Bujanoc, 2004.
Rrugëtim përjetësie, poezi, SHB “Perspektiva”, Bujanoc, 2005.
Gëzim dhe drojë – tregime, SHB “Kurora”, Gjilan, 2005.
I lutemi zotit – poezi fetare, KBI Preshevë, 2006.
Perëndim i varur – poezi, SHB “Kurora”, Gjilan, 2006.
Kodra e luleve – poezi për fëmijë, SHB “Feniks”, Preshevë, 2007.
Vula e kohëzezës, Shtëpia e Kulturës, Preshevë, 2007.
Shtëpia afër pyllit – tregime për fëmijë, SHB “Feniks”, Preshevë, 2008.
Gërfyejt e shpresës – poezi, SHB “Feniks”, Preshevë, 2008.
Ide të trazuara – intervista me shkrimtarë, SHB “Perspektiva”, Bujanoc, 2009.
Lutje të lagura – poezi, SHB “Kurora”, Gjilan, 2009.
Mbresa vrojtuese – vështrime letrare, SHBKurora”, Gjilan, 2010.
Hëna flet me lule – poezi për fëmijë, SHB “Nositi”, Dardanë, 2010.
Hullive artistike – vështrime kritike, “Kurora”, Gjilan, 2011.
Nën strehën e kujtimeve (Sotto la gronda dei ricordi)poezi (shqip – italisht),

SHB “Beqir Musliu”, Gjilan, 2012.
Në thellësi të ëndrrës, poezi, SHB “Beqir Musliu”, Gjilan, 2012.
Aforizma, SHB ”Feniks”, Preshevë, 2013.
Semantika e shtrirjes krijuese, vështrime kritike, SHB “Beqir Musliu”, Gjilan, 2013.
I kthehem ëndrrës, poemë, SHB ”Beqir Musliu”, Gjilan, 2013.
Sheshi i fjalëve, poema, SHB “Beqir Musliu”, Gjilan, 2014.
Rrugët e shikimit (Paths of vision), poezi shqip – anglisht, SHB “Lulu Enterprises”, SHBA, 2014.
Drithërimë (Tremuratura), poemë shqip – rumanisht, SHB ”Amanda Edit” , Bukuresht, 2015.
Këngë zogu, poezi për fëmijë, SHB “Atunis”, Prishtinë, 2015.
Vlerësime, vështrime letrare, “Atunis”, Prishtinë, 2016.
Pikojnë fjalët (aforizma), SHB ”Atunis”, Prishtinë, 2016.
Shtigjeve të shpresës, poezi, SHB” Atunis”, Prishtinë, 2017.
Vetmi e mërdhirë, proza poetike, SHB ”Atunis”, Prishtinë, 2017.
Rrëmbimi i Euridikës, poezi, SHB “Lena”, Prishtinë, 2018.
Ëndrra që më dha gëzim, poezi për fëmijë, “Lena”, Prishtinë, 2018.
Në prehrin e ëndrrës, poezi, “Lena”, Prishtinë, 2019.
Sytë e Erës, poezi për fëmijë, “Lena”, Prishtinë, 2019.
Shkreptimë dashurie, “Lena”, Prishtinë, 2020.
Blini në Blinishtë , tregime për fëmijë, SHB “Lena” Prishtinë, 2020.

Tregim

HIJE E MËKATARIT

Nuk bëri zë kur e pa se ia ktheu shpinën! Ishte një provë, të cilën priste t’ia bëjë asaj dhe ta dijë, a do t’i hapet porta e emocioneve.
S’i bëri as tre hapa, ktheu kokën për ta parë Adelën, mos vallë e kaploi ndonjë mërzi e menjëhershme. Vetëm habia e kishte përthekuar të tërën, e kishte futur si në lëkurë të huaj, teksa buza i dridhej, ishte bërë gati për të qarë.
Mirë që nuk ia shtoi vetes edhe ndonjë hap, e Adela do të shkrehej në vaj e do ta kapnin drithërimat trishtuese.
Gjithçka ishte në heshtje, as ajo nuk bëzante fare, veç e kishte gozhduar shikimin në sytë e tij, e në të, si në varëse i varte kujtimet e kaluara, të cilat do t’i rendiste e do t’i paloste një nga një si në lëpizë të kohës.
S’pati kohë të mendonte më gjatë, mori frymë thellë dhe si me gjysmë zëri pëshpëriti:
– Bim, do të ikësh pa asnjë fjalë?!
– Jo Adela, – dhe u kapërdi njëherë, sytë iu mbushëm me lot, – nuk do të të braktis kurrë, veç desha ta zbuloj reagimin tënd, ndjesinë, e ke apo të ka mërguar diku pas shtatë kodrave e maleve!
– A nuk të duket pak e tepërt kjo, Bim. Mua desh më lëshuan këmbët…!
– Eja këtu, Adela, – e përqafoi fort dhe e puthi në ballë! – Nuk do të ketë më sprova të tilla…
Adela e prekur shpirtërisht, filluan t’i pikojnë lotët nga maja e mjekrës. Ashtu duke lotuar e përqafoi me sa forcë që kishte Bimin, i cili e kuptoi se sa e do Adela.
Në kokën e Bimit lodronin mendime të ndryshme, të cilat ia djersitën ballin. Mendja i rrinte tek Adela, i dilte para sysh ashtu e habitur dhe e trishtuar nga veprimi i Bimit.
U kthye në shtëpi me një valixhe kujtimesh sa të mira, sa të hidhura.
– Unë jam mëkatar, mëkatar jam, – dhe filloi të bërtasë e të gjuajë gjësende të kuzhinës, t’i bënte copë-copë.
Ç’bëra unë! Jam i keq, i keq jam, mëkatar i zi. – U shtri në krevat, mori fotografinë e Adelës, e puthi dhe e la para vetes në tavolinë. Duke e shikuar, e zuri gjumi, i cili ia hapi portën për të hyrë brenda truallit të ëndrrës, aty pa ca hije tek luanin vallen e çmendur, brenda valles ishte edhe hija e tij e lodhur.
Sakaq u dëgjua një zë si nga thellësia e një Parnasi, kërkon ndihmë. Hijet u shpërndanë në të katër anët, për t’i rënë në gjurmë zërit që kërkonte ndihmë.
Hija e Bimit nuk shihej dot, ajo kishte arritur shpejt te caku, nga ku ishte nisur zëri, e pa Adelën ulur nën hije të një lisi, e trishtuar dhe priste Bimin të futej brenda hijes së saj si një shpëtimtar i dashurisë.
Ëndrra u tret diku, pa ndonjë adresë! Veç një episod kishte ngelur. Në atë skenë shihet Adela, e cila herë qan, herë qesh si një engjëllushë urtake, me një bagazh në shpinë duke ikur diku tek bren miza hekur, për të mos u kthyer më kurrë. Ajo ia ktheu shpinën Bimit disa hapa më shumë se Bimi në fillim të tregimit.
Nga mundimi i doli gjumi dhe ëndrra u fsheh pas portës ku qëndronin dy muza lajmëtare.
Rrezet e diellit e ngacmuan Bimin, e zgjuan nga gjumi, sikur ta thërriste me zë të lartë Adela.
Të gjitha këto skena të para në ëndërr i silleshin vërdallë në kokën e tij të lodhur dhe mezi priste ta takojë e t’ia rrëfejë ëndrrën, e cila si zakonisht e priste tek tuma, ulur në pushimoren e shënjuar.
Ia rrëfeu ëndrrën pikë më pikë. Adela e dëgjonte me vëmendje, herë qeshte, herë merrte pozë serioze.
– Ke bërë mëkat me mua kur ma ktheve shpinën, po të ishe në lëkurën time do të besoje se çfarë drithërimi më kaploi, m’u rrëqeth trupi dhe tani e gjithë kjo është shndërruar në ëndërr, pra të është kthyer në të njëjtën monedhë.
Pas këtyre fjalëve, Adela i bashkoi buzët me buzët e Bimit dhe të dytë pëshpëritën në heshtje: nuk do të ndahemi kurrë! Jo, jo, kurrë nuk do të ndahemi…