Beqir Cikaqi

BEQIR CIKAQI

Lindi më 6 qershor 1962, në Iliron (ish-Dobërdelan), komuna e Therandës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin “Jeta e re” në Therandë, ndërsa studimet në Universitetin e Prishtinës. Disa vjet ka punuar si arsimtar lëndor në vendlindje. Në mesin e viteve të 90-ta (shek. XX) ka migruar fillimisht në Itali, kurse tani jeton e vepron në Shtutgart të Gjermanisë.
Edhe në migracion ka punuar mësues në shkollat shqipe të mësimit plotësues, duke dhënë një kontribut të veçantë, jo vetëm në shkollën ku është angazhuar, por edhe më gjerë. Përveç profesionit të mësuesit, paralelisht është marrë edhe me krijime poetike, opinione, reagime, portrete, reportazhe, kronika, intervista etj. Këto shkrime i ka publikuar në gazeta, revista ditore e periodike, portale elektronike etj.
Me shkrime poetike ka filluar që nga bankat shkollore. Shkruan për të rritur dhe për fëmijë (poezi, ese, madje edhe lojëra skenike e fabula). Është bashkautor i disa antologjive – grup autorësh.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, të Artistëve dhe të Krijuesve Shqiptarë në Gjermani (LSHAKSHGJ) dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK).

Ka botuar këto vepra:

“Atdheu vendi më i bukur”, për fëmijë
“Heshtja e nënëlokes”, poezi
“Shkolla shqipe e Bassanos”,
“Gjyshi im ishte ky”, tregime dhe rrëfime
“Il mio amore infinito”, poezi në italisht
“Një pasion i ushtruar”, publicistikë
“Kush më puth i pari”, vjersha për fëmijë
“Abc – shqip në Treviso”, monografi e shkollave të MP-së
“Diell mbi horizont”, poezi

Adresa: Beqir M. Cikaqi
Rruga “Ushtari” p. n. – Iliron (Dobërdelan)
23000 Therandë (Suharekë)
emal: beqir_cikaqi@hotmail.com
Tel. +383 49 483 304
    +49 157 376355314

THONË SE …

(Jusufit, Kadriut, Bardhoshit)

Thonë
ujqit nuk flenë
as natën as në borë as në acar
kur kërkojnë gjahun
– ah bishat e  mallkuara

Thonë
i ftohti i çmend ujqit
në zgjedhje të gjahut
andaj jo rastësisht
në Untergrupenbah
llavë egërsirash
endej atë natë janari
për ta skuqur borën
me gjakun e engjëjve
e t’i shndërrojnë në yj të pashuar

Thonë
yjtë nuk shuhen edhe nëse bien
në tokë në ujë në borë
shkëndijat e tyre bëjnë dritë
në rrugën për në atdheun e copëtuar

Thonë
të vdesësh për liri
për ribashkim të atdheut
është shpërblim i jetës
Ju yj të bekuar përjetësisht
në vazhdimësi shndritni
të pashuar
– eh liri sa e shtrenjtë je

Thonë
krenaria është lavdia atdhetare
Ju kishit virtyt kishit ideal
ujqit kërkuan prenë
pa ditur se natën e përgjakur
nuk vdiq atdheu
por ju përjetësisht
u bëtë yj udhëtregues
drejt pjesëve të Shqipërisë

Thonë
në Dubovik e Poliçkë
nuk bënë vaj
as nuk derdhën lot
dy nënat kosovare
që kur lindën ata tre
i bekuan me atdhedashuri
i kalitën me idealin kombëtar
nëpër breza

Thonë
edhe pas kaq shumë vitesh
kitara e Jusufit
vazhdon ende tingujt
me “këngën e pambaruar“
pa iu këputur asnjëherë telat
me të njëjtit ritëm
e lapsi i Kadriut
shkruan gjithnjë poezi
kushtrimi për “këngët e lirisë”
me të njëjtën ngjyrë
pa ndryshuar stilin

Thonë
në çdo përvjetor
keni diçka për të na thënë
17 Dhjetor