Bekim Dugolli lindi më 28.2.1970 në Fushë-Kosovë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Fushë-Kosovë, ndërsa mbaroi shkollën e mesme ekonomiko-juridike në Prishtinë. Studioi drejtësinë dhe historinë në Universitetin e Prishtinës. Krahas aktiviteteve në profesion, merret edhe me sport, kulturë, art e publicistikë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar aktual i klubit basketbollistik “Fushë- Kosova”, 2007-2018 (1998-2007 ka qenë kryetrajner i klubit); themelues i klubit letrar “Naim Frasheri” të Fushë-Kosovës më 2002 (sot SHSH “Naim Frasheri”); anëtar i Komitetit Nacional Shqiptar me seli ne Gjilan (2011-2016) si seksion kombëtar është anëtar fuqiplot i Akademisë Europiane të Arteve me seli në Paris (Francë); anëtar i bordit drejtues të Federatës së Basketbollit të Kosovës (2013-2016) dhe kryetar i një komisioni në kuadër të FBK-së; kryeredaktor i “Buletinit vjetor” (2014-2015) të Zyrës për Mbrojtje dhe ndihmë të viktimave në kuadër të Prokurorit të Shtetit – Prishtinë.
Ka botuar dy përmbledhje poetike: “Idil i vjeshtës sime” dhe “Lokomotiva Kuq e Zi”, ndërsa ka në dorëshkrim edhe një vëllim poetik, dy monografi dhe një dorëshkrim nga fusha e drejtësisë. Është laureat i shumë mirënjohjeve nga shumë fusha të krijimtarisë së tij që nga niveli lokal, rajonal, qendror dhe ndërkombetar; së fundi ishte i propozuar nga gjashte  OJQ për Medaljen presidenciale të meritave për kontributin e tij në fushën e sportit gjatë tri dekadave.

Është pjesëmarrës i shumë manifestimeve kulturore-artistike dhe letrare anembanë trojeve tona, ku disa herë poezia e tij u përzgjodh në mesin e më të mirave në konkurset  e shpallura, ndërsa ekspozoi punime artistike edhe në Durrës, Pogradec e gjetiu.
Aktualisht punon ne Prokurorinë e Shtetit, kurse jeton dhe vepron në Fushë-Kosovë.