Bajram Bytyçi lindi më 1946 në fshatin Karvansaraj, ku i kreu katër klasat e para të shkollës fillore, kurse tetëvjeçaren e mbaroi në Banjë të Malishevës, në vitin 1963, me sukses të shkëlqyeshëm. Shkollën normale e kreu në Prizren më 1968 dhe po këtë vit u regjistrua në Fakultetin Filozofik, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, ku diplomoi më 1972. Disa vite punoi profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në shkollën e mesme teknike “Gani  Çavdarbasha” e pastaj në Akademinë Pedagogjike në Prizren. Ndërkohë, gjatë punës, më 1978, u regjistrua në studimet posdiplomike në Degën e Letërsisë Shqiptare të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, të cilat i kreu dhe më 1984 mbrojti me sukses punimin e magjistraturës “Novela popullore shqiptare”, që nga komisioni u vlerësua si monografi e parë shkencore mbi novelën popullore shqiptare.

Në vitin 1987, si tepricë teknologjike, largohet nga procesi mësimor dhe punësohet në Organizatën Hidroekonomike të Prizrenit, ku edhe sot punon. Përveç veprimtarisë pedagogjike–arsimore, shquhet edhe në fushën e mbledhjes së krijimtarisë popullore duke filluar që nga viti 1968, me vijimin e studimeve, i inspiruar nga profesori Anton Çetta, i cili atëherë punonte në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Kështu, ka arritur të mbledhë një thesar të pasur e të llojllojshëm folklorik, të cilin, si bashkëpunëtor i jashtëm, ia ka dorëzuar arkivit të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Andaj edhe shumë nga këto materiale folklorike, janë botuar në përmbledhjet: “Balada dhe legjenda” (1974), “Përralla, I, II (1979, 1982), “Këngë dasme”, I, II (1980, 1984), “Ninulla” (1982), “Këngë dhe lojëra të fëmijëve” (1983), “Kallëzime” I (1987), “Anekdota” I, II (1987, 1988), në revistën “Gjurmime albanologjike” – folklor dhe etnologji (1977) etj. Në gazetën e përditshme “Rilindja” të Prishtinës ka botuar, përveç punimeve për letërsinë popullore, edhe artikuj të ndryshëm publicistikë, si dhe poezi të cilat herë pas here janë botuar në revista të ndryshme e në përmbledhjet poetike.

 

Ka botuar këto vepra:

 

“Novela (Kallëzime) popullore”, KL “Fan S. Noli”, Prizren, 1998, ribotoi NB “Rilindja”, Prishtinë, 2000.

“Anekdota popullore”, “Rilindja, Prishtinë, 2000.

“Tahir Hameli – në kërkim të lirisë (Kujtime),” Prizren, 2004, bashkautor.

“Isha djalë… nga ditari i jetës”, “Fidani”, Prizren, 2010.

“Përralla dhe përrallëza shqiptare”, Prizren, 2011.

“Andërr e thyer”, “Fidani”, Prizren, 2014.

”Valjeta”, poezi, “Blendi”, Prizren, 2015.

“Novela popullore shqiptare”, “Blendi”, Prizren,  2017.