BAHRIJE SPANCA

Lindi më 25.06.1961 në fshatin Shakovicë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Podujevë, ndërsa të lartën në Prishtinë. Ka punuar si kontabiliste në “Çiçavica komerc” të Vushtrrisë gjer në privatizimin e saj.
Me shkrime merret qysh nga shkolla fillore. Punimet e saj i ka botuar në revistën “Pionieri”, pastaj nëpër gazeta e revista dhe në portale, si, “Jeta e re”, “Rreze Llapi”, “Zëri i rinisë” etj.
Disa poezi i ka publikuar në gazetën “Zëri i shtegtarit” deri sa ishte refugjate ne Çegran të Maqedonisë.
Pas luftës vazhdon të shkruajë, ndërsa për befasinë e saj, djemtë Enisi dhe Visari ia “vjedhin” shkrimet dhe ia botojnë dy libra në vitin 2018:

“Ujëvarë loti në pikturë”, Prishtinë, 2018
“Si do ta quaja”,  Prishtinë, 2018

Pos poezisë, pasion ka edhe pikturën, prandaj dy kopërtinat e librave kanë dhe dy piktura të saj.
Librin e tretë me poezi për fëmijë, “Gjurmë të vockla”, e ka botuar në vitin 2021.
Krijimet e saj poetike janë botuar në tetë antologji të ndryshme.

MOS HARRO TË VISH…

Pranë imazhit tuaj, portreti më finesë i kohës më bën të të shikoj gjatë sytë e tu! Deri sa i shikoja, më dukej sikur po më rrëfenin një histori të tërë. Ata sy ishin plot gjallëri, plot magji… Aty pashë pasqyrën e shpirtit tuaj të shkëlqente si flori. Ata sy ndryshonin diellin, ndryshonin ylberin, hënën… bënin sikur të më thoshin: Mos harro të vish si një lule në stinën e pranverës, se kjo stinë na mban të bashkuar!
Unë si një dallëndyshe e lodhur, pas një udhëtimi të gjatë, kërkoja strehën e mendimit për të çlodhur ëndrrën time.
Me vete kisha marrë gjithë ata lumenj që buronin nga zemra gjer në maje të qerpikut, pastaj binin mbi faqe si piklat e një ujëvare gati të shtjerrë.
Doja heshtjen e natës, e cila thyente shumëçka nga mendimet e mia që më silleshin rrotull!
Sikur të ishim dy yje e të rrinim pranë e pranë?!!
Pooo, që ne jemi njëri Diell e tjetri Hënë!
Botët tona nuk mund të jenë siç duam ne, sepse na xhelozon furtuna e kohës.
Po unë po ua e mbyll derën në këtë vjeshtë të zverdhuar, se për të shkelur në stinën e pranverës është një dimër i gjatë në mes!…