Arbnesha Kelmendi – Draga

ARBNESHA KELMENDI – DRAGA

Lindi më 25.07.1974, në Pejë. Shkollën fillore e kreu në SHF “Vaso Pashë Shkodrani” në vendlindje, ndërsa të mesmen, gjimnazin “Bedri Pejani”, gjithashtu në vendlindje, në Pejë. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, si dhe ato pasuniversitare.
Gjatë shkollimit fillor e të mesëm ka qenë gjithnjë e angazhuar në aktivitete të shumta kulturore e letrare, si dhe në teatër. Ka interpretuar shumë role nga ato më kryesore dhe episodike në shfaqje të shumta teatrore, ku me talentin e saj u shqua në Teatrin e qytetit të Pejës.
Me krijimtari letrare nisi qysh në shkollën fillore për të vazhduar deri kur nxori librin e saj të parë “Përtej syve të heshtur”, më 2019. Pastaj, në vitin 2022, ka botuar vëllimin poetik “Etje dhe shi”. Ka në dorëshkrim edhe ditarin e luftës, i cili pritet që të botohet së shpejti.
Për veprimtarinë e saj kulturore është nderuar me çmime dhe mirënjohje të shumta në manifestime të ndryshme. Temë të masterit në fushën e shkencave filologjike kishte ”Korpusin e shqipes së folur në komunën e Pejës”.
Është profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në shkollën e mesme ekonomike “Ali Hadri” të Pejës, ku jeton aktualisht.

SHIKIMI YT

Më dhemb shikimi
Shigjetë
Në sytë e mi
Që s’gjejnë pikë
Për të pushuar
Nuk e desha kurrë
Këtë çast
Eh nuk vrahet shpirti sa herë
Veç njëherë
Kur ndërgjegjja bëhet
Vetëvrasëse
E nga vetja merr dënimin
Për përpëlitjet
Në kërkim të qeshjes
Me zemër
Nuk e desha kurrë
Këtë dhimbje
As këtë ditë
Kur shigjetat e syrit
Nuk gjejnë
Pikë ndalim
Fajtor cili prej nesh
Është më shumë
Ik
Se po e jetoj
Edhe këtë ditë