Arben Rashkaj lindi më 12.4.1979 në fshatin Milaj – Has, komuna e Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Planejë, ndërsa gjimnazin, me ndërprerje, fillimisht vitin e parë e kreu në fshatin Gjonaj, pastaj në Prizren vitin e dytë, ku edhe ndërpreu shkollimin përkohësisht për shkak të përndjekjes nga okupatori serb.
Në radhët e UÇK-së u inkuadrua më 18 prill të vitit 1998 dhe vazhdoi si pjesëtar i saj deri në përfundim të luftës, që rezultoi me çlirimin e Kosovës. Tani është invalid i luftës. Pas çlirimit vazhdoi mësimet si nxënës i rregullt në gjimnazin “Gjon Buzuku”. Pastaj kreu fakultetin juridik në Universitetin e Prishtinës dhe po aty edhe ato posdiplomike, drejtimi kushtetues-administrativ.
Është themelues i klubit letrar “Oaza” në bibliotekën rajonale “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës dhe themelues i revistës “Oaza”, që e boton ky klub. Por është bashkëthemelues edhe i organizatës studentore “Lista studentore reforma” dhe deputet i parlamentit të parë studentor të Universitetit të Prishtinës.
Ka botuar poezi në shumë revista letrare.

Deri tash ka botuar:

Qumësht varresh, poezi, 2007
Këngët e fshehura të Lumbardhit, poezi, 2016

Është fitues i disa çmimeve letrare në Kosovë dhe jashtë.
Jeton dhe punon në Prizren.