Andrin (Shyqeri) Kabashi lindi më 17.10.2002, në Prishtinë. Ka kryer shkollimin e mesëm të ulët në shkollën “Nazim Gafurri” të Prishtinës, ndërsa tani ndjek gjimnazin e shkencave natyrore “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Deri tash ka botuar:
Hakmarrja, dramë, kolegji “Biznesi”, Prishtinë, 2017.
Engjelli i vdekjes, dramë, kolegji “Biznesi”, Prishtinë, 2018.

AKSIDENTI

(Melodramë pa tekst)

Një dhomë dite e lidhur me kuzhinë. Një djep i thatë në mes të dhomës. Këmisha e bardhë e Samiut qëndron në krye të skenës. Qindra foto dhe videokaseta janë të lidhura në mes vete me pe të kuq, anekënd skenës. Duket tamam si një rrëmujë kujtimesh. Mbi tavolinë gjenden shumë lloje ilaçesh për qetësim. Gjithashtu disa libra, si, p.sh.: “Shenjat e para të një krize mendore”, ”Sëmundjet psikike 2” apo “Si të mënjanohet DEPRESIONI pa ilaçe?”

Pas gatimit të ushqimit për vete e për Samiun, Bardha gatuan ushqim për foshnjën. Grin zarzavate të ndryshme dhe shfrytëzon tenxheret që ka aty pranë. Vendos tri pjata në tavolinë dhe ulet e vetme. Thotë lutjen e bukës dhe fillon të hajë. Pas pak i ngec buka në fyt. Kollitet dhe ngrihet të pijë ujë. Tani ndihet më mirë. Ndalet, shikon tavolinën dhe disi nuk ka më oreks. Nga dollapët merr një dërrasë për prerje dhe karota për t’i prerë, por pas disa prerjesh, aksidentalisht pret gishtin. Dhembje! E çmendur kap tavolinën dhe hedh matanë duke derdhur në tokë gjithçka që kishte përgatitur. Kërkon nëpër sirtarë diçka që ta lidhë gishtin. Merr një fashë dhe e lidh.
Është e trullosur e nuk di ç’të bëjë. Vë njërën dorë në bark e tjetrën në kokë. Mundohet ta qetësojë veten. Shfryn… Shkon te djepi dhe e tund, ashtu të thatë, duke kënduar si në vete një ninullë: “Nin-nëna-ninananananina…”. Fillon të qajë, qan… me forcë të madhe e shtyn djepin dhe e rrëzon. Qan aq shumë, saqë kollitet nga dhembjet e fytit. Dihat. Por papritmas fillon të qeshë si e çmendur… Mundohet të ngrihet në këmbë, por nuk mundet, rrëzohet; por prapë qesh. Shtrihet në tokë dhe e qeshura ngadalë tretet. Qëndron ashtu për pak minuta.
Heshtje varri… dëgjohen vetëm tiktaket e orës. I end këmbët sa nga njëra anë, në tjetrën, në përputhshmëri me tiktaket. Për një çast ndalon. Ngrihet ngadalë, shpërlan fytyrën në lavaman dhe e fshin me peshqir. Merr enët një nga një dhe i hedh në tokë, duke u munduar të shfryhet, por e kotë; pastaj si e tërbuar shumë përnjëherësh duke menduar se kjo do ta qetësojë. Por, jo! Nuk di se si të veprojë… kap kokën dhe gjunjëzohet duke ulëritur si e çmendur… Fillon të dëgjojë të qara bebesh dhe frikësohet. Zërat i vijnë nga të gjitha anët. Ajo ngrihet dhe mundohet të ikë nga ata. Ikën e vrapon gjithandej, kur pas pak ndeshet në këmishën e Samiut. Zërat tashmë ndalen. E sheh, e ledhaton, i merr erë dhe e përqafon; tani ndihet më mirë. Fillon të kërcejë me të duke pretenduar se është në krahët e tij. Por, papritmas vëren se këmisha është e gjakosur. Çmendet, ulërin e tërbohet. Vrapon gjithandej e frikësuar duke ulëritur dhe pastaj ndalet përpara pasqyrës. Sheh se me plot gojë është shkatërruar. Është bërë më keq se një zhele lypsari. Tronditet nga ajo që sheh dhe merr një buzëkuq e mundohet që ta ‘fshijë veten’ në pasqyrë. E sheh se është e kotë dhe merr diçka të fortë për ta goditur. Pasqyra bëhet copë-copë. Dihat! Kap kokën dhe e tronditur shikon se çfarë ka bërë. Mundohet që t’i bëjë copëzat bashkë sërish, por e ka të kotë, kështu që copëzat e mbledhura i flak tutje!
Ngrihet në këmbë dhe tani mendjen ia marrin fotografitë dhe videokasetat që janë të lidhura me pe të kuq anekënd skenës. Fillon t’i ndjekë një nga një. I mbledh disa dhe i shikon me mall. I shikon dalëngadalë, por pastaj i kalon me shpejtësi. Fillon të qajë dhe i gris. Bërtet e ulërin gjithandej dhomës. Dihatë. Gjunjëzohet dhe qan. Kërkon nëpër shumë sirtarë. Kërkon shumë, por nuk mund ta gjejë atë që kërkon. Përsëri kërkon dhe më në fund e gjen. Nga sirtari nxjerr një revole. Duart i dridhen. Tiktaket e orës dëgjohen aq shumë sikur të kishte njëqind orë në shtëpi. Bardha vendos revolen në kokë dhe do ta shkrepë. Tiktaket vetëm më shumë përshpejtohen. Përshpejtohen dhe vetëm përshpejtohen. Bardha është e vendosur ta vrasë veten. Në çastin e shkrepjes, dëgjohet një zë bebeje: “Ma-ma!” Bardha ndalet. Revolja i bie nga dora. Qëndron në këmbë, ashtu, pa lëvizur. Me duar të dridhura, fytyrë të frikësuar dhe me ethe.
Në mënd i bie të hapë një sënduk të vjetër. Sheh një kukull. E merr, e ledhaton dhe e do. Tanimë ajo është njeriu më i lumtur në botë! Sillet rreth e qark dhomës duke e përqafuar e duke kërcyer me të. Qesh. Qesh shumë. Aq shumë sa që asnjë e qeshur tjetër nuk do të mundte t’ia kalonte. Rrëzohet në tokë, por prapë qesh.
Tashmë e qeshura e saj është bërë e frikshme. Bardha tërheq spangon e kukullës dhe kukulla nxjerrë zë:
Ana, Ana! A do të luash me mua? Ana, Ana! Eja me mua!
Dritat fillojnë të fiken dhe e qeshura e Bardhës shndërrohet në makth e në vajtim!