ALBANA MUJA

Lindi më 2 nëntor 1988, në Mitrovicë. Ka mbaruar studimet postdiplomike master në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës – Drejtimi i Dramaturgjisë.
Është autore e disa dramave dhe e skenarëve për filma metrazhesh të ndryshme.
Dramat: “Njohja”, e inskenuar në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, kurse drama “Nori“ është inskenuar në Teatrin e  Mitrovicës. Ndërkohë drama për fëmijë “Nori” është botuar nga “Multimedia”, Prishtinë, në vitin 2011. Drama “Komedi e kuqe” është botuar në vitin 2015 nga shtëpia botuese “Parnas”, Prishtinë, ndërsa është inskenuar në vitin 2018 në teatrin “Muharrem Qena” të Mitrovicës, kurse drama “Tango” është inskenuar në vitin 2019 në teatrin “Dodona” të Prishtinës.
Drama “Era” ka fituar çmim në konkursin për dramë shqipe “Katarina Josipi” të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, të vitit 2021.
Ka punuar gazetare në “Gazetën Express”, Prishtinë, në rubrikën e kulturës, kryesisht ka ndjekur teatrin dhe filmin. Po ashtu një kohë ka punuar në revistën “Select” të Prishtinës. Ka qenë dhe kryeredaktore e Televizionit CBC.
Ka shkruar disa skenarë dhe është angazhuar si konsulente në disa teleseri të transmetuara në Radiotelevizionin e Kosovës dhe në disa televizione të tjera.
Ka punuar edhe si asistente e lëndës dramatizim dhe shfaqjet me kukulla në universitetin “Isa Boletini” të Mitrovicës, më 2019.
Është aktive në botën e teatrit dhe të medieve të tjera.

Dramë

ERA

(Fragment)

Takimi familjar

Familja janë aty diku nëpër dhomë, Era në vendin e zakonshëm!

Begu:  Sa herë more të kam thënë, mos e përdor atë karton të hamamit, ti prapë vjen bili-bili!

Lira:  Krenari e panevojshme, qe 15 vjet i ke shpëtuar 20 mijë euro harxhime e flet pa lidhje këtu para tërë këtij mileti, harroje që je këtu, edhe menaxhimi i mirë i parave është biznes!!!

(Ai sillet si pa kokë, i çoroditur kap një pikturë, ia ndërron vendin, kap fotelen e Erës dhe  e zhvendos nga prapa, përballë tij, ndërkohë nuk i ndalet goja!)

Begu: Unë ditë e natë duke u lëvduar mes miqsh, që s’ia kam parë kurrë hajrin atij kartoni, as s’kam dashur ta përdor e ti ma tesh shpirtin, ka vlerë e s’ka…!

Lira: Gjysmën e shkollimit të djalit pa para, çdo vizitë te mjeku pa para, e edhe ca fort të mira të tjera që i di ti më mirë!

Heshtje

Begu: Dhjefsha n’ta!

Lira: Tash po dhiej edhe unë!

Qesh me të madhe Lira, që futet në skenë tashmë duket qartë. Dritat u ndezën, bashkë me drita dëgjohet edhe zhurma e agregatit, këtë të fundit edhe me zhurmë dhe në përkulje e luan Miloti i cili s’ndalet së performuari agregatin, në drejtim të audiencës, përherë i qeshur!!!

Drita bën të qartë edhe Begun

Lira: Beg ndale agregatin! (Teksa po merr ca gota dhe një shishë verë) Miloti zgjohet në këmbë, e ndal performancën e agregatit!

Miloti: E mbylla gojën Nënë! Ndoshta nuk ndalet ma kjo rrymë se shpirti po do me m’dalë prej veni, s’koka hiç lehtë me luajt agregatin!

Begu: Po get duhet mu ba lufta e tretë botërore, me ja kajt atë nënë, për me pas rrymë n’këtë vend!

Miloti dhe Lira qeshin

Begu: Valla mu me kajt po m’vjen!

Në drejtim të tyre. Miloti dhe Lira shikohen mes veti

Lira: Jo edhe unë kaj mas teje i dashur, gjithmonë!

Heshtje

Begu: Sherr budallë!

Lira shikon me nervoz herë ka Begu herë ka Miloti

Lira: Unë

Begu: Sigurisht që jo

Miloti: E kush?

Begu: Ministrja

Lira: Pse?

Begu: Me qat vendim për Veteranët de!

Lira: Ah… Po t’i a nuk më moralizove deri tani që mos ta përdorim asnjë të mirë që i adresohen veteranëve, çka po lodhesh për atë punë tash?

Begu: Le grua se nuk po kupton.

Lira: Beg, ti hala pa e qel gojën unë e di çka flet, unë veç po du ti me kuptuar që vazhdimisht je n’kundërshtim me fjalët dhe veprimet tua!

Miloti po llapitet duke ngrënë diçka dhe pohon me kokë teksa flet e ëma!

Begu: Euu!

Miloti vazhdon pohimin me kokë! Begu e vëren!

Begu:  Çka Milot?

Heshtje për pak, Lira shikon herë njërin herë tjetrin!

Miloti: Harroje luftën babë, ka shkuar, moti ka qenë ajo punë, ec babë ec!

Begu: Qysh ec?

Miloti: Me kohën babë, kujdes qysh i flet mamit, kujdes çka thua, kujdes çka mendon!!!

Begu: C’ne me këto përfundime?

Miloti: Edhe mënyrën e të folurit ndërroje bab, c’është kjo c’ne, mos ma përziej t’lutna, gjysmën e flet me zhargon e gjysmën letrarqe, amannnn!

Begu: Unë jam gjuhëtar bir, e kam prej zanatit!

Miloti: Çfarë zanati bre babë, tash diplomove, tash tu kujtua me e kry…

Begu ndryshon qëndrim, kthehet nga i biri!

Begu: Kujdes se si më drejtohesh Milot, rrethanat ma kanë ba të pa mundshëm studimin kur u desh!

Miloti: Krejt shokët po keshin me mu, çdo ditë m’vesin me nënçmim “Cili po e kryeni përpara fakultetin a ti a babi”

Begu: Asnjëherë nuk është vonë me krye shkollë, asnjëherë nuk është vonë me i ndreq gabimet!

Miloti: Dhe asnjëherë nuk është vonë me i lanë këto marifete babë!

Begu zgjohet në këmbë

Begu: T’thash kujdes qysh po flet Milot!

Miloti: Dhe a nuk guxoj me ta thanë mendimin tem?!

Lira ka mbet e shtangur teksa po dëgjon burrin dhe djalin teksa debatojnë çuditshëm!

Në skenë futet Blini.  Të veshur mban një palë pantallona të ngushtë, punë mode!

Lira: Hajde shpirt!

Begu: Prapë i ke vesh a?

Lira dhe Miloti kthejnë shikimin nga Blini, ky i fundit sikur nuk i bën përshtypje çka thotë baba, I afrohet frigoriferit nxjerr një shishe me ujë!

Begu: Çka o puna jote more djalë, çka rrita kështu, njëri s’flet e bon çka t’i teket, tjetri flet shumë e përzihet pa vend (kthen shikimin nga Miloti)

Lira: Blin po të prisnim për drekë!

Blini: Veç sa hëngra!

 

Skena V 

Dhomë dite.

Lira qëndron pranë Begut, heshtjen e thyen Lira!

Lira: More Beg, pe kam vështirë me të fol!

Begu e çon kokën dhe e shikon me habi Lirën!

Begu: Për çka vështirë, a ka ndodh diçka?

Lira: Nuk e di!

Begu nis të tensionohet!!!

Begu: Qysh nuk e di, çka po do me thanë???

Lira I afrohet.

Lira: Beg

Begu: Fol

Lira: Blini ka fol sot!

Begu: Po,

Lira: Ka fol shumë!

Begu: Çka ka fol, për çka?

Lira: Për Erën

Begu: Për Erën?

Lira: Për veti!

Begu i afrohet!

Begu: Qysh për Erën për veti, ka fol, edhe çka?

Lira: Ka fol gjana të çuditshme, nuk e di po tingëllonte sikur vërtetë…

Begu: Prit, nuk po kuptoj, po do me thanë që është smut, po trillon, depresion a çka?!

Lira e hutuar…

Lira: Jo, nuk besoj, nashta

Heshtje

Begu: Kurrgjë nuk më the, kurrgjë nuk kuptova, s’pe di cili nuk jeni mirë ma, jeni ba shumë, e kam shtirë kursemë pak!

Lira: Blini po mendon që prapa tragjedisë që ka ndodhur me shpi, e që Era ka shpëtuar nën rrënoja pa u lendu,  ajo e ka dit që do të ndodh!

Begu stepet…

Begu: Çka është kjo, kah i erdhi, qysh e ka ditë që ka me ndodh?!

Lira: Nuk e di, po folke me shumë bindje…

Begu: E kah doli kjo tash, kush i ka thanë, kush munet mi thanë, ku është Blini!

Lira:  Nuk është, unë desha me fol një herë bashkë, e tani ulemi dhe na thotë çka ka me thanë!

Begu: Kush dhe çka I ka thanë saktë?

Lira: Nuk e di! Po folke me shumë bindje, bile m’bani me dyshu që vërtetë mund të ketë diçka. Na jemi kanë të shqetësum tej mase, na n’fakt e kemi hup cikën ajo është dhe s’është dhe aso kohe nuk kemi mendu gjatë, pos shëndetit të saj.

Begu: Po sigurisht, por çka kemi pas me menu, n’veri, n’gojë t’serbëve , ata e kanë ditë shumë mirë n’shpinë e kuj po gjujnë…

Lira: Po dhe Blini ma kujtoj që arsyeja pse Era nuk ka fol që nga ajo kohë nuk mund të jetë veç trauma, po ajo ndoshta e ka ditë që ka me ndodh…

Begu: Edhe?

Lira: Edhe me siguri e bren ndërgjegjja për ata që na ka ba…

Begu nxjerr telefonin dhe kërkon në të..

Begu: Ku është more ai, çka I ka pikë n’kry kështu, qysh guxon me lujt me ketë punë, ai e din shumë mirë që na ka shkatërru kjo ngjarje!!!

Lira: Pikërisht, ai po konsideron që nëse na e marrim vesh të vërtetën, edhe Era mund të ndryshojë diçka!

Begu kap kokën dhe zgjohet, sorollatet nëpër skenë, Lira qëndron në heshtje, dikur mezi flet sërish!

Lira: Ai më foli edhe për veten

Begu kthehet dhe shikon Lirën

Begu: Për veten

Lira: Po

Begu: Në ç’kuptim për veten, çka tash?

Lira: Derisa Miloti, si Miloti po i lëshonte fjalë “gej” e kësi, ati i pëlciti kupa dhe tha që e kanë dhunuar…

Begu i shastisur i tensionuar tej mase i afrohet Lirës, e kap për krahi…

Begu: Çka po fol kështu, a je tu e dit, djali nuk koka mirë?

Lira pohon me kokë, pastaj edhe mohon!

Begu: Qysh e kanë dhunuar, çka po folllllllllll!

Bërtet me të madhe, Lira shtrëngohet, struket në vete po nuk lëviz vendi… Begu sillet nëpër skenë dhe flet me veten.

Begu: Çka janë krejt këto, çka është kjo ditë?

Heshtje

Pas pak, Begu i kthehet Lirës me pyetje…

Begu: Kush dhe kur e ka dhunuar, çka tha, fjalë për fjalë?

Lira: Ata!

Begu: Qysh ata, ai ishte 7-8 vjeç, qysh atë ditë që…!

Lira pohon me kokë dhe me një

Lira: Po.

Begu me britmë!

Begu: Çka të tha tjetër, kush kur???

Lira: Nuk e diiiii, u hutova, m’tmerroi, u mundova sa ma pak me pyet, nuk desha me ja hap plagën tamam, ndoshta nuk kishte fol nëse Miloti nuk e kish nguc, edhe nuk dija si me reaguar, ndoshta nuk o mirë djali!

Begu me duar në kokë.

Begu: Po dua të çmendem, çka është krejt kjo?!

Begu i afrohet Lirës, e kap dhe e shtrëngon me dy duar pastaj e lëviz herë në njërën e herë në anën tjetër…

Begu: Qysh mundesh me kanë kaq e qetë, po çmendem…

Lira: Edhe unë

Begu: Jo, ti jo

Bën me gisht ka vetja…

Begu: Unë po çmendem, çka janë krejt këto në familjen tem…

Lira: Mos u ndiej fajtor, ti nuk je kanë me të!

Begu: Pikërisht, për ata jam fajtor!

Lira:  Çka me pas kanë afër, t’kishin marrë edhe ty. Beg, ngadalë kemi mundur të mos ishim asnjëri sot!

Begu: Ma mirë mos me kanë se qashtu…

Lira: Nuk t’ka hije me fol kështu.

Begu: E çka thonë, çka kanë me thanë!

Lira lëshon zë…

Lira: Çka ka rëndësi çka thonëëëë, nëse kjo është e vërtetë djali ka përjetuar tmerrin, ka jetuar krejt këto vjet me atë sekret, e ti po lodhesh çka kanë me thanë a?!

Begu nuk flet më, e shikon Lirën, sikur pajtohet, lëshohet në tokë dhe qëndron kokë ulur.

Heshtje