Ajete U. Pavataj lindi më 18 shkurt 1951, në Stellc të Epërm të komunës së Deçanit. Rrjedh nga një familje e njohur për veprimtari kombëtare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën e mesme në Pejë.
Me krijimtari letrare është marrë që nga mosha e rinisë. Deri më tani ka botuar librin me poezi “Dallgë hyjnore”,”Botimet Barleti”, Tiranë, 2015.
Poezitë e saj janë botuar edhe në disa antologji, si: “Korsi e hapur, III” (“Open Lane”, III), LNPSHA “Pegasi”, Albania.
Fshehtësia e heshtjes” është libri i saj i dytë me poezi.
Jeton në Pejë.

FATI I EMRIT TIM

Foshnja ime e shenjtë
e përflakur në kujtimin tim,
përkundet në djepin e fëmijërisë.

Fija e mallit të molisur zhveshur
në shpirtin e vyshkur,
të jetës së gozhduar
në pemën e mëkatit.

Unë arratisem si shtrëngata,
tretem në shikimin tënd në horizont,
në ninzë të syrit pikëtakohen shikimet,
në ninzë të shpirtit kujtimet përqafohen.

Pasqyra vret shikimin,
pasqyra copëton kujtimin.

Shikimi yt, lotët e pranverës sime
Simbiozohen, bëhen një.

Në epitafin e motit,
vetëm hija e kujtimit
e njeh mërzinë e heshtjes,
duke u kotur në ëndrrat
e ujëvarën e Mirushës;
shikimet përpiqen
në dritaren e kujtimeve.