Aishe Qorraj – Berisha

MR.SC. AISHE QORRAJ – BERISHA

Lindi në Deçan, ndërsa shkollimin fillor dhe gjimnazin i mbaroi në vendlindje. Fakultetin Filologjik, Dega – Letërsi dhe Gjuhë Shqipe e kreu në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Fakultetin Juridik e ka përfunduar në kolegjin “ILIRIA” në Prishtinë, kurse studimet master të fakultetit juridik, drejtimi penal në kolegjin “AAB” në Prishtinë.
Nëntë vjet me radhë ka qenë mësimdhënëse në shkollën fillore “Elena Gjika” të Prishtinës. Në vitin 2002 emërohet zëdhënëse dhe lektore në MTPT, ndërsa në vitin 2003 zëdhënëse e parë e Qeverisë së Kosovës. Në vitin 2007 emërohet zëdhënëse në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku punon edhe sot si shefe e zyrës për informim. Është ambasadore e paqes në Botë nga viti 2009.
Me shkrime merret që nga bankat e shkollës fillore. Është shpërblyer disa herë për shkrimet e veta si nxënëse dhe studente. Herë pas here ka publikuar punime në gazeta dhe revista të ndryshme. Në vitin 2002 ka nxjerrë librin me poezi me titull ”Kantatë për lirinë”. Në vitin 2006 ka botuar romanin ”Plaga e mallit”.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa nga viti 2010 edhe anëtare e KSH Shqiptar në Botë me seli në Selanik, ”Drita”. Ka zënë vendin e parë me poezinë ”Një natë me Naimin” në Selanik, kurse vendin e dytë me poezinë “Më premto” në Besianë. Ka marrë edhe shumë shpërblime të tjera dhe vazhdon aktivitetet me pjesëmarrje në takime të ndryshme poetike.

 

ME POETIN NË ËNDËRR

        (N. Frashërit)

Më preku flokët lehtë-lehtë,
më foli thjesht, me heshtje e mall
dhe më dëgjoi fjalë më fjalë
me shqipen tonë
gjuhë e hyjnive,
që pikonte nga qiejt
me dhimbje qiriri…
që mbinte nga toka
në gjelbërime lisash
me kokën në re…

Më fliste thjesht dhe e dëgjoja,
fjala e tij më binte në buzë
e bëhej fjalë…

“Kam dhimbje,
në sy, në vesh, në gjoks…
mushkëritë po më mbushen
me fjalë të sëmura,
Për së gjalli vuajta,
i vdekur kam dhimbje…

Lisat janë prerë dhe po priten
zogjtë kanë mbetur pa foledhe
pa këngën e tyre,
Nuk dëgjoj më:
mirëmëngjes e mirupafshim,
është harruar: bisedojmë
siç është harruar vendlindja,
siç harron bleta-mjaltin…

Gjuha shqipe është Kombi ynë,
Aty janë shekujt që ikën e do të vijnë
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj…
E ruani gjuhën,
Është gjuha më e mirë…”

Çela sytë e u lotova.
Mbi flokë ndjeja dorën e tij
dhe mallin e fjalëve në zemër…