Prof. dr. Agim Vinca

Agim Vinca ka lindur më 22.5.1947 në Veleshtë – Strugë (Republika e Maqedonisë) në një familje arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi (më 1974) dhe doktoroi (më 1983). Ka qenë mësimdhënës i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ka ligjëruar lëndën letërsi e sotme shqipe, ndërsa në studimet e nivelit “Master” lëndën metodat e studimit të letërsisë. Ka titullin profesor ordinar.

Jeton dhe punon në Prishtinë.

Agim Vinca është njëri nga poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe. Përveç krijimeve letrare në poezi, ka botuar një numër të madh punimesh nga fusha e kritikës letrare, por edhe një varg studimesh me karakter historiko-letrar. Bibliografia e shkrimeve të dr. Agim Vincës është tejet e gjerë. Ajo përfshin mbi 500 njësi: recensione, ese, kritika, trajtesa, studime, shkrime polemike e publicistike etj.

Agim Vinca ka botuar këto vepra letrare dhe shkencore:

Feniksi (poezi, 1972)

Bregu i mallit (poezi, 1975)

Në vend të biografisë (poezi, 1977)

Aspekte të kritikës sonë (studim, 1977)

Qasje (kritikë, 1980)

Buzëdrinas (poezi, 1981; ribotuar në Tiranë më 1984)

Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980) (monografi historiko-letrare, 1985)

Iz savremene albanske poezije u Jugoslaviji (Nga poezia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi), (antologji, Sarajevë, 1985)

Arna dhe ëndrra (poezi, 1987)

Orët e poezisë (kritikë dhe studime letrare, 1990; ribotuar më 2010)

Populli i pandalur (publicistikë, 1992)

Alternativa letrare shqiptare (kritikë dhe studime letrare, 1995; ribotuar më 2005 e 2009)

Kohë e keqe për lirikën (poezi, 1997)

Shqiptarët mes mitit dhe realitetit (publicistikë, 1997)

Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe. Botim i dytë i plotësuar (1997)

Dri’ (Poezi, përzgjedhje, “Onufri”, Tiranë, 1999)

Sonet i vetmuar (poezi, 2001)

Kurs i teorive letrare (studim teoriko-letrar; tekst universitar, 2002)

Panteoni i ideve letrare (studim teoriko-letrar, 2002)

Letërsia bashkëkohore shqipe. Bashkautor (tekst shkollor, Tiranë 2002; i ribotuar pesë herë në periudhën 2002-2007)

Fije të pakëputura (sprova letrare dhe kulturore, 2004; ribotuar më 2007)

Kënga e hapur. Antologji e komentuar (2005; ribotuar më 2009)

Psalmet e rrënjës (poezi, 2007)

Zogj të plagosur/ Verwundete Vögel (poezi, shqip-gjermanisht, 2007)

Letër Zotit. Poezi të zgjedhura. (Botimet “Toena”, Tiranë, 2008)

The World Revolves Around the South (Poezi të zgjedhura, anglisht, Shkup, 2008)

(Po)etika e fjalës (shkrime kritike dhe eseistike,        2010)

Urnă vie (Urnë e gjallë ), rumanisht (Bukuresht, 2010)

Arti i reagimit (publicistikë, 2011)

Teori dhe metoda letrare (2012) etj.

Merret edhe me përkthime letrare. Është nderuar me çmime të ndryshme letrare.

Poezi dhe shkrime të tjera të tij janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën maqedonase, serbe, kroate, sllovene, polake, ruse, rumune, frënge, italiane, gjermane, angleze, turke, arabe etj. Si poet ai është prezantuar në panorama dhe antologji të ndryshme të poezisë shqipe etj.

Veprimtaria shkencore, letrare dhe intelektuale e dr. Agim Vincës është e gjerë, e shumanshme dhe intensive.