Agim Hajdini

AGIM HAJDINI

Lindi më 24 nëntor 1961, në fshatin Prelez i Jerlive, komuna e Ferizajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen, shkollën e mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë, kurse studimet në Fakultetin e Laborantëve të Mjekësisë në Tiranë.
Me shkrime merret që nga shkolla e mesme, kryesisht me poezi e tregime për fëmijë. Ka botuar nëpër revista dhe gazeta për fëmijë, si: “Rilindja për fëmijë”, “Shëndeti”, “Bujku”, “Pionieri” etj. Punon në QKMF të Ferizajt, që nga viti 1984.
Jeton dhe vepron në vendlindje.

Ka botuar këto vepra:

“Jetës i buzëqesh dielli”, poezi dhe tregime për fëmijë, 2014

“Shtëpia me gjashtë çati”, tregime për fëmijë dhe të rinj, 2017

Libri “Infermieria ferizajase” (bashkautor)

“Shtigje”, roman

NË VDEKJE KËRKONTE SHPËTIMIN

 

Në fshatin shkrumb e të boshatisur

Thyen qetësinë ndonjë mace e harruar,

A lehje të trishta të qenve të uritur.

Këtu edhe zogjtë kanë braktisur çerdhet e tyre,

Gjithkah heshtje varri e trishtim vdekjeje

Kundërmim gjaku vjen.

 

Barbarët shamikuq e të dozuar,

Turren të pangopur nga epshet prej gjakësori

Dhe vënë dorën mizore mbi fëmijë, gra e pleq,

Mjeranët filluan misionet e tyre ogurzeza

Mbi trupa të pafajësisë.

 

Dhimbshëm vjen një zë nëne,

As e gjallë, as e vdekur, përpëlitet me jetën,

Plagët i kullojnë nga të dy këmbët,

E barku i hapur me zorrët jashtë,

Kërkon vdekjen ta shohë me sy

Para se gjakësorët të kthehen përsëri.

 

Me gjysmëzëri që mezi nxjerr nga buzët e thara,

Kërkon shpëtimin në vdekjen e saj:

– Lutem në emër të zotit t’më kuptoni!

Vëllezër, nga ju kërkoj ta kryeni këtë amanet,

Mes varreve të burrit dhe fëmijës tim ma bëni një vend!

 

Me fjalët e fundit në gojë mbylli sytë përgjithmonë

Dhe në përqafimin e të dashurve të saj

Mori me vete mallin, kujtimet, lojën e fëmijës,

Që dje vraponte i gëzuar, prekte rrezet e diellit

Me dritën e përflakur të mallit prindëror