Nijazi Ramadani

Nijazi Ramadani lindi më 14.2.1964 në Kokaj, komuna e Gjilanit. Katër klasat e para të fillores i kreu në Kokaj, kurse gjysmëmaturën në Pogragjë të Gjilanit, të mesmen në gjimnazin “Zenel Hajdini”, drejtimi matematikë-teknikë dhe të lartën, edukimin, në Universitetin e Prishtinës – në Gjilan dhe Prishtinë.
Krijimtarinë për fëmijë dhe të rritur e ka filluar më 1977, duke e publikuar në periodikun letrar të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë të shek. të kaluar, kur edhe anatemohet nga jeta publike për shkak të rreshtimit politik në Lëvizjen Kombëtare, botimit të fletushkës “Ushtima e maleve”, që ishte cilësuar si pamflet armiqësor (nacionalist-irridentist) të atyre viteve dhe pikërisht për këtë burgoset më 24 korrik të vitit 1981. Merret me shkrime letrare, publicistike, kulturore dhe politike, të cilat i boton herë pas here në të përditshmet dhe periodikun shqiptar. Shkrimet i ka botuar në të përditshmën “Rilindja”, pastaj në revistën letrare “Jeta e Re”, “Pionieri”,  “GEP”, “Flaka” e Shkupit, “Haemus”, Bukuresht, në gazetën “Athina” – Athinë, në “Shkodra”, si dhe në  “Shkëndija”; në revistën “Paqja” të Prishtinës, por edhe në gazetat shqiptare “Shekulli” të Tiranës dhe “Koha jonë”. Më pas vazhdoi me paraqitjet në gazetën “Bujku”, “Euro-Rilindja, Tiranë, “Koha ditore”, “Zëri”, “Bota e re”, “Fokus”, “Epoka e re”, ku punoi pas vitit 2000, dhe botoi një varg shkrimesh në të përditshmet: “Express”, “Infopress” “Kosova sot”, “Iliriapost”, “Pavarësia News”, “Lajm” të Prishtinës, agjencia e lajmeve “Kosovapress. Gjatë punës së tij u mor me të gjitha zhanret e shkrimeve gazetare, duke përfshirë shkrimet hulumtuese dhe të angazhuara, kritikë, ese, editorial, koment, replikë, reportazh, shkrim enciklopedik dhe referencial, skicë, fejton, recension etj., në mediet elektronike dhe të shkruara. Punoi si redaktorpërgjegjës te e përkohshmja “Ushtima e maleve” (2001-2002, në redaksitë Radio-Albana (Kumanovë) dhe ajo Rinia (Gjilan), ku, përvç punës në gazetari, botoi artikuj të ndryshëm dhe shkrim letrare dhe publicistike, duke përfshirë edhe mbi dhjetëra shkrime enciklopedike në Wikipedia (shqip dhe anglisht). Është autor i dhjetë librave. Disa punime të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Është mësimdhënës në shkollën “Mulla Idriz Gjilani” të Gjilanit, botues te klubi i artistëve, i krijuesve, i gazetarëve “Rrjedha”; udhëheq edicionin “Rrjedha”, ku botoi një varg veprash dhe editoi revistën “Ushtima e maleve”; është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton dhe punon në Gjilan.

Vepra të botuara

  1. “Dhe shkronjë arbri”, poezi, “Jeta e re”, Prishtinë, 1995
  2. “Kosova dhe vetëvendosja”, trajtesë historike-dokumentare dhe politike , “Rrjedha” (“Ushtima e maleve”), Gjilan, 1998
  3. “Një qasje në teatër”, “Rrjedha”, 2004, Gjilan
  4. “Vrojtime artistike”, vështrime letrare, “Rrjedha”, Gjilan, 2006
  5. “Qasje tjetër për skenën”, “Rrjedha”, Gjilan, 2006
  6. “Imazhe kohe”, poezi (1978-2008), “Rrjedha”, Gjilan, 2008
  7. “Imazhi i ngrirë”, roman, “Rrjedha”, Gjilan, 2012
  8. “Vështrime letrare” (shkrime të botuara nëpër revista dhe gazeta), “Rrjedha”, Gjilan
  9. “Azgani & Ylber(i)ja”, “Rrjedha, Gjilan, 2012
  10. “Shtegtim në histori – Monografi për Kokajt 1842-2012”, “Rrjedha”, Gjilan, 2012
  11. “Vështrime letrare”, trajtesa, “Rrjedha”, Gjilan, 2016