Mehmetali Rexhepi

MEHMETALI REXHEPI – METI

Lindi në Gjilan, më 4 korrik 1951. Shkollimin fillor e të mesëm, gjimnazin i kreu në Gjilan, më 1971. Studimet me ndërprerje, për shkaqe politike, i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.
Ishte njëri nga veprimtarët e çiltër për çështjen kombëtare, ndaj u pushua nga puna për një periudhë të gjatë, mandej u burgos nga pushteti jugosllav në vitin 1979 dhe gjatë viteve 1983- 1984, “pa të drejtë për punët publike”. Mbi pesëmbëdhjetë vjet nuk iu lejua punësimi në veprimtaritë publike shtetërore!
Pas rënies së nenit 133 të KPK ”për propagandë armiqësore”, fare vonë iu mundësua detyra e shenjtë e edukatorit dhe e mësim-hënësit në SHME “Marin Barleti.” Pastaj, po në këtë cilësi, vijoi në shkollën nëntëvjeçare “Thimi Mitko” dhe, së fundi, në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit.
Për një mandat ishte drejtor i gjimnazit të përgjithshëm “Zenel Hajdini” në Gjilan, në periudhën  2009-2013, prej nga u pensionua më 4 korrik 2016.
Asnjëherë nuk iu shmang kërkesave që shtronin rrjedhat e kohës: veprimtarisë ilegale dhe legale për ndryshimin e pozitës politike të shqiptarëve në Federatën Jugosllave; mandej për organizimin e jetës kulturore-artistike; pajtimit të gjaqeve e të tjera… Fushëveprimtaria e tij ka shtrirje: në arsim e edukim, veprimtari atdhetare, humanitare, si poet, prozator, kritik letrar, studiues e eseist dhe në fushën e publicistikës.
Poezia e parë iu botua te “Zëri i rinisë”, më 1968; mandej botoi në revistën e vetme letrare të asaj periudhe “Jeta e re” në Prishtinë, më 1970-1972 botoi në faqet e kulturës të “Rilindja”, te “Pionieri”, “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, në “Plejada” (revistë letrare), e cila u pezullua prej pushtetit të Serbisë, vetëm pas daljes së shtatë numrave të kësaj reviste. Vazhdimisht u censurua nga politika jugosllave, për të mos u dukur deri në vitet e nëntëdhjeta.
Vëllimin e parë poetik “Frymë e fërguar mynxyrave” e botoi në Prishtinë, më 1997.
Ishte bashkëthemelues me letrarët Sh. Shkodra dhe H. Këqiku i  klubit letrar “Rexhep Elmazi”, që veproi në rrethanat e përndjekjes serbe në Gjilan dhe më gjerë. Po ashtu, ishte njëri  nga themeluesit e SHHB ”Nëna Terezë”, dega në Gjilan, e cila u shqua për veprimtari të dendur bamirësie e kulturore në Gjilan e rrethinë.
Që nga nisma e “Flakës së Janarit” në Gjilan, e cila simbolizon flakën e dëshmorëve për liri e çlirim kombëtar, e shpërfaqur përmes veprimtarive përkujtimore frymëzuese, kulturore, letrare-artistike, ishte dhe mbeti  besnik i rrugëtimit të saj. Doli me shkrime të herëpashershme në revistën e përkohshme “Agmia”, organ i manifestimit “Flaka e Janarit”.
Në konkurset letrare te “Flaka e Janarit”, “Lulëkuqet e Prillit” e të tjera, për prozë të shkurtër dhe poezi është vlerësuar me çmime të treta, të dyta dhe të para. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i arsklubit “Beqir Musliu” të Gjilanit.
Jeton dhe vepron në Gjilan.
Shkrimet poetike: poezi, prozë dhe shkrime kritike, vështrime letrare, ese, studime dhe reflektime publicistike i janë publikuar në mediet e shkruara dhe elektronike, si: “Epoka e re”; “Sheshi”; “Ars poetica” (2008-2009); “Zemra shqiptare”; gazeta “Nacional”; “Bota sot”;  “Rajoni press”; “Fjala e lirë”; “Alb-spirit”; “Alb-poetica” etj.
Pati disa paraqitje me kumtesa në tubime të ndryshme. Është vlerësuar “për origjinalitetin e shprehjes gjuhësore, shpesh eksperimentale, për ndjenjën e sinqertë e të fuqishme dhe mendimin e thellë.”
Është përfshirë në “Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001” të shkrimtarit Hasan Hasani; “Etje e pashuar”, përzgjedhje poezish nga grup autorësh, botim i  klubit letrar “Nositi”, Dardanë, 2010; “Zjarri poetik”, antologji e autorit Shefik Shkodra, SHB “Sogjetime”, Gjilan, 2017; në “Academia Stubllae”, revistë shkencore, Stubëll, 1, 2021 etj.

VEPRAT

Bashkautor:

Shefik Shkodra – Mehmetali Rexhepi:
“Flakërimë”, SHHB “Nëna Terezë” – Dega në Gjilan, 1992

Shefik Shkodra – Mehmetali Rexhepi:
“Agurrona”, KL “Rexhep Elmazi”, Gjilan, 1993

Mehmetali Rexhepi – Sherafedin Kadriu:
“Kohëngjeshje bamirësie” (shkrime dokumentare), SHHB “Nëna Terezë”, Gjilan, 2000

Vetjake:

“Frymë e fërguar mynxyrave”, poezi, “Iliriku”, Prishtinë, 1997
“Enigma e magjikes”, ese, “Faik Konica”, Prishtinë, 2011
“Hirësia e Motit”, roman, SHBPK, Prishtinë, 2017
“Hirësia e Motit”, roman, ribotim, “Lena”, Prishtinë, 2021
“Selatin Novosella – Kronisti i malbrezave”, vlerësime publicistike, SHBPK, Prishtinë,  2017
“Hirësi e flluskuar, poezi, “Sogjetime”, Gjilan, 2017
“Kallinjtë e çatisë”, roman, “Lena”, Prishtinë, 2020
“Thurja e modelit” (Qasje kritike, eseistike, estetike dhe publicistike), “Lena”, Prishtinë, 2021
“Vetullat e majëborës”, poezi, “Lena”, Prishtinë, 2021

LUMIT NUK I DIGJEN LOTËT

 (Babait Muharrem Rafuna,
në tridhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta, më 24 tetor 1991)

përvjetori i tridhjetë më prek lagësht më prek
teksa pashë
të varur një kosë të topitur e të ndryshkur
më erdhi një erë bari e pleksur me djersë
në muzeun e qetë fluturonte një plis
dhe thahej një këmishë e një kënetë
e nuk binte asnjë kanjushë
te dritarja pa roletë
një stuhi krahthyer trazoi qetësinë
lëkunden gjë sendet e mbetura në muzeun tim
plisin ia kishte grabitur stuhia
e përbalti dhe i nxiu bardhësinë
atëbotë derdhej furishëm terri i moteve të mllefit
në shpirt kokë e shpinë

babait tim
mos iu fiktë fanari në amshim
po të shkruante në letër
do të shkruante me lapsin e rrezeve
aty janë të ngërthyera të gjitha nuancat e ngjyrave
dhe të reve    

por
Ai gjithsesi do të gufonte si gejzer
parakalimeve t  aradheve
pema e Tij që më mbolli në kokë
qet bisqe dhe lëngshëm bulëzon
mes brishtësisë vjeshtake që zverdhon
shirat mandej kthjelltësi e brymtë
përcëllojnë dhe shkrijnë vesën e mbresën

babai im
paç ndjesë
nuk të kalbi harrimi
derisa muzeut tim
nuk i doli tymi
as e përfshiu flaka tinëzare
as përftimi
ndaj mos e pritsha kumtin
se edhe lumit të mallëngjimit lotët do t’i digjen

Gjilan, më 24  tetor 2021